Apple ka bërë një përditësim të sigurisë për të parandaluar programin e spiunimit Pegasus që të përgjojë pajisjet e kompanisë.
Apple tha se po e bënte këtë përmirësim për pajisjet iPhone dhe iPad sepse një program “i krijuar me qëllim të keq” mund t’i hakojë ato.
Ekspertët kishin thënë se kjo dobësi në Apple i mundësonte Pegasusit të bëjë përgjime të pajisjeve.
Pegasus mund të të infektojë pajisjet edhe nëse përdoruesi nuk shtyp asnjë buton.
Studiuesit në “Citizen Lab”, një organizatë mbikëqyrëse e sigurisë kibernetike në Kanada, e gjetën problemin derisa analizuan telefonin e një aktivisti saudit, të cilit i ishte përgjuar telefoni.
“Ne erdhëm në përfundim se kompania e spiunazhit NSO Group përdori këtë dobësi për të shfrytëzuar dhe infektuar nga distanca pajisjet e fundit të Apple me softuerin e spiunimit Pegasus”, shkroi Citizen Lab në një postim.
Kompania NSO nuk e mohoi se Pegasus ka bërë një përditësim urgjent të softuerit.
Përmes një deklarate, kjo kompani tha se “do të vazhdojë t’u sigurojë teknologji agjencive të inteligjencës dhe atyre të zbatimit të ligjit në të gjithë botën për të luftuar terrorin dhe krimin”.
Pegasus mund të ndezë kamerën ose mikrofonin e një telefoni dhe të mbledhë të dhënat e tij.
Institucioni i mbrojtjes i Izraelit ka krijuar një komitet për të rishikuar biznesin e NSO, përfshirë procesin përmes të cilit jepen licencat e eksportit.
NSO këmbëngul se softueri i tij ka për qëllim të përdoret vetëm në luftën kundër terrorizmit dhe krimeve të tjera, dhe thotë se eksporton në 45 vende.