Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të premten se janë konfirmuar edhe 31 raste të reja me koronavirusnë Kosovë.
IKSHPK-ja ka bërë të ditur se janë kryer 209 mostra dhe 31 prej tyre kanë rezultuar pozitive për të rritur numrin e përgjithshëm të të prekurve me Covid-19 në 480.
Po ashtu, sot janë shëruar pesë persona, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 84.
IKSHPK-ja njofton se të testuarit sot janë raste kontakti me të infektuarit, pastaj të karantinuarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe punonjës shëndetësorë.
Po ashtu sot, si pasojë e koronavirusit ka vdekur edhe një person, duke e rritur në 12 numrin e përgjithshëm.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, 15 nga komuna e Ferizajt (sipas vendbanimeve: 10 në Ferizaj, 3 në Mirash, 1 në Mirosal dhe 1 në Kosinë; 9 raste nga komuna e Vitisë (sipas vendbanimeve: 3 në Viti, 3 në Gushicë dhe 3 në Pozharan), 2 raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga 1 në vendbanimet: Miradi e Epërme – Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok . Sot më 17 prill 2020, janë shëruar edhe pesë pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me më së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 84”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.