Një studim i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) zbuloi se një person i pavaksinuar ka 11 herë më shumë gjasa të vdesë nga koronavirusi.
Është përcaktuar se vaksinimi zvogëlon ndjeshëm mundësinë e shtrimit në spital dhe rrezikun e vdekjes, madje kjo vlen edhe për llojin delta shumë ngjitës të koronavirusit.
Studimi nga muaji prill deri në mes të korrikut të këtij viti përfshiu 600 mijë njerëz që rezultuan pozitivë për koronavirus në 13 shtete amerikane. Vlen të përmendet se në Shtetet e Bashkuara në fillim të verës kishte gjithnjë e më shumë njerëz të infektuar me llojin delta të virusit.
U vu re se ata që nuk ishin të vaksinuar kundër COVID-19 kishin 4.5 herë më shumë të ngjarë të infektoheshin, se kishin 10 herë më shumë të ngjarë të shtroheshin në spital dhe se kishin 11 herë më shumë gjasa të vdisnin.
“Vaksinimi funksionon. Është vija e fundit. Ne kemi mjete shkencore dhe ne duhet t’i përdorim ato për të luftuar këtë pandemi”, tha drejtori i CDC Dr. Rochelle Walensky duke iu drejtuar Shtëpisë së Bardhë.
Ky studim, rezultatet e të cilit u botuan dje, më 10 shtator, zbuloi se efektiviteti i mbrojtjes nga vaksinimi zvogëlohet me kalimin e kohës. Në pranverë ishte 98 për qind dhe tashmë në muajin qershor dhe korrik 78 për qind.
Shkencëtarët nuk janë të befasuar nga kjo, duke kujtuar se askush nuk ka pohuar ndonjëherë se vaksinat janë ideale, por se pandemia është shtypur duke vaksinuar një numër të madh njerëzish. Sipas Walensky, 90 për qind e atyre të shtruar në spital për koronavirus janë ata që nuk janë vaksinuar.