Zëdhënësi i Prokurorisë Themelorë të Pejës, Shkodran Nikçi në një konferencë për media lidhur me rastin tragjik të së mërkurës në Pejë ku u vranë dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës tha se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për obduksion.
Nikçi para gazetarëve tha se derisa të vazhdojnë hetimet janë të rezervuar në dhënien e informatave pasi rasti është i ndjeshëm dhe mund të dëmtohet procesi i hetimeve.
“Të mërkurën mbrëma si pasojë e të shtënave me armë dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet policore dhe prokurorja e Departamentit të krimeve të rënda. Sot gjatë ditës kryeprokurori, prokurorja dhe hetuesit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë intensive po zhvillohen hetimet që të zbulohen rrethanat dhe motivet”, u shpreh Nikçi.
Ai bëri të ditur se janë sekuestruar dy armë, ndërkaq dy trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Në disa pista janë duke u zhvilluar hetimet dhe pasi hetimet të përfundojnë do të dalim me njoftim zyrtar. Derisa të vazhdojnë hetimet duhet të jemi të rezervuar pasi është rast i ndjeshëm dhe mund të dëmtohen hetimet”, tha ai, raporton Telegrafi.
Vrasja e mbrëmshme në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën, ku të vdekur mbetën kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i po kësaj partie, Blerand Kadrijaj.