Kosova krijon raste, por nuk e gjen golin ndaj Spanjës

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në duel me Spanjën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e Grupit B kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, me rezultat 0:2. Dardanët patën paraqitje shumë të mirë përballë superfuqisë së futbollit evropian, por nuk i shfrytëzuan rastet e pastra për gol. Të parët kërcënuan futbollistët tanë nëpërmjet Elbasan Rashanit, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë kuadratit të portës së Unai Simon. Në anën tjetër, spanjollët e administruan lojën, duke e qarkulluar topin si zakonisht, teksa në minutën e 32-të arritën t’i zhbllokojnë shifrat. Ishte Morata i cili asistoi për sulmuesin Pablo Fornals, që me gjuajtje të saktë brenda zonës arriti ta mposhtë Aro Muriçin. Edhe në pjesën e dytë Dardanët patën paraqitje të mirë dhe arritën të krijojnë raste para portës spanjolle. Mundësi të mirë lëshoi Milot Rashica, në minutën e 48-të si dhe Vedat Muriqi në minutën e 53-të, kur doli i vetëm para portierit, por gjuajtja e tij përfundoi përskaj shtyllës. Një rast të mirë e pati edhe Zymer Bytyqi por Unai Simon arriti ta devijojë topin në këndore. Në momentet kur Dardanët ishin në kërkim të golit të barazimit spanjollët e gjetën edhe golin e dytë. Kësaj radhe Ferran Torres shënoi në minutën e 88-të, gol i cili u konfirmua nëpërmjet VAR-it. Kësisoj, Kosova i mbyll ndeshjet e muajit shtator me një fitore (kundër Gjeorgjisë), një barazim (kundër Greqisë) dhe një humbje (kundër Spanjës). Në muajin tetor Dardanët do të luajnë kundër Gjeorgjisë në shtëpi dhe kundër Suedisë si mysafirë. Në pushimin ndërmjet dy pjesëlojëve, presidentët e dy federatave, Agim Ademi e Luis Rubiales kanë shkëmbyer dhurata, derisa me një dhuratë nga presidenti i Federatës spanjolle është nderuar edhe presidentja e Republikës, Vjosa Osmani.