Në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë janë duke u trajtuar 87 pacientë me COVID-19, 70 nga të cilët janë me oksigjeno-terapi dhe 6 me CPAP maskë.
Drejtori i spitalit, Hilmi Shala ka thënë për KOHËN se aktualisht aty ka më shumë lirime se sa pranime, ndërkaq përveç 87 shtretërve që janë në shfrytëzim, edhe 88 të tjerë janë të lirë. Shala ka bërë me dije se stafi i rekrutuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka filluar me punë.
Gjakova sipas të dhënave të IKSHP-së nga fillimi i pandemisë ka pasur 7 mijë e 744 qytetarë të infektuar me koronavirus, 48 vetëm në 24 orët e fundit. Nga këta, 6 mijë e 341 janë shëruar ndërkaq raste aktive janë 1.403. Sipas të njëjtit burim, në këtë komunë deri tash kanë vdekur 217 persona si pasojë e COVID-19, 4 nga të cilët dje.