Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i emëruar rishtazi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë që detyra e tij është që ta përfundojë suksesshëm këtë dialog dhe të sigurojë që Kosova dhe Serbia një herë e përgjithmonë t’i zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Siç ka thënë ai, ekziston vetëm një dialog, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, por ka shtuar që do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me kolegët amerikanë, sepse “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ndajnë agjendën e përbashkët për rajonin”.
“SHBA-ja ka qenë partnerja kryesore e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe partnerja kryesore e BE-së në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Lajçak.
Ai ka shuar se dialogu i deritashëm, i cili ka nisur në vitin 2011, ka shënuar rezultate domethënëse lidhur me lëvizjen e mallrave dhe njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kodin telefonik ndërkombëtar, integrimin e policëve dhe gjykatësve serbë në sistemin e Kosovës, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në gjithë Kosovën dhe integrimin e Kosovës në nismat rajonale dhe të tjera.
Presidenca e Kosovës, megjithatë thotë që roli i udhëheqjes amerikane mbetet i domosdoshëm në këtë proces.
Bekim Çollaku, shef i kabinetit dhe këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë që janë të gatshëm që të punojnë me të gjithë për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por kryesisht me ata që “me të vërtetë duan të arrijnë një marrëveshje dhe kanë aftësinë dhe besueshmërinë për ta ofruar atë”.
Sipas tij, ky “proces i gjatë dhe i lodhshëm duhet të përfundojë dhe është interes i Kosovës të arrijë marrëveshje të mirë dhe njohje nga Serbia”.
“Roli i lidershipit amerikan mbetet i domosdoshëm në proces. Ngjashëm edhe roli i Bashkimit Evropian, për sa kohë që është në gjendje të përmbushë liberalizimin e vizave dhe të përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në BE”, thotë Çollaku.
Ai shton se Bashkimi Evropian ka qenë timonier në këtë proces në dhjetë vjetët e fundit, “por kjo nuk do të thotë që ka qenë timonier i mirë dhe i suksesshëm”. Siç thotë ai, përkundër arritjeve të kufizuara, ende nuk ka marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në anën tjetër, përparimi i deritashëm, gjithashtu në masë të madhe është meritë e angazhimit dhe mbështetjes amerikane. Kështu që, sukseset dhe dështimet ndahen midis aktorëve kryesorë të përfshirë në këtë proces, përfshirë edhe paaftësinë e Kosovës dhe të Serbisë për të arritur një marrëveshje”, thotë Çollaku.
Lajçak thotë se e ndan zhgënjimin e Kosovës me mungesën e përparimit në liberalizimin e vizave. Ai shtoi se porosia e tij për vendet anëtare të BE-së është që “në rast se ne kërkojmë nga partnerët tanë që t’i përmbushin obligimet, atëherë edhe ne duhet gjithashtu që t’i përmbushim obligimet”.
Marrë parasysh që Komisioni Evropian ka thënë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, ai thekson që çështja më nuk është “nëse” por “kur” do të ndodhë liberalizimi i vizave.
“Kjo do të ndodhë dhe nuk dyshoj në këtë”, tha Lajçak.
Në anën tjetër, zyrtari i Qeverisë amerikane, të cilin Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar, nuk ka pasur se çfarë të komentojë lidhur me deklaratat e Lajçakut dhe as për atë se a duhet që marrëveshja përfundimtare të arrihet në SHBA apo në Bruksel.
Takimi i fundit i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit, është mbajtur më 8 nëntor, 2018. Pas vendosjes së tarifës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës në fund të nëntorit të po atij viti, Serbia më nuk ka dashur që t’i kthehet tavolinës së bisedimeve në Bruksel.
Megjithatë, ajo është kthyer atëherë kur në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përfshirë ambasadori Richard Grenell, i dërguar special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për bisedimet e paqes ndërmjet këtyre dy vendeve, i cili në fillim të këtij viti ka arritur të sigurojë tri letra të qëllimit për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, si dhe për autostradën.
Zyrtarët amerikanë, gjithashtu besojnë që ky moment do t’i japë energji të re dialogut, i cili duhet të sjellë deri te “njohja reciproke” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, më 2 mars, kanë biseduar në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas këtij takimi, në disa raste ka theksuar që rolin udhëheqës në këtë proces tashmë e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se mungesa e unitetit midis vendeve të BE-së për çështjen e Kosovës ka reflektuar edhe në gjasën për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Thaçi ka folur me tone kritike edhe kur Miroslav Lajçak është vendosur në atë pozitë, para së gjithash për shkak se ai vjen nga Sllovakia, shtet që nuk e ka njohur Kosovën dhe i cili ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Nga Presidenca e Serbisë, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme, deri në publikimin e këtij teksti, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje në pyetjen lidhur me rolin e Lajçakut në vazhdimin e dialogut, në krahasim me rolin e Grenellit, si dhe as ndonjë koment lidhur me atë se kush duhet të ndërmjetësojë në dialog.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur me Lajçakun përmes telefonit më 12 prill dhe me këtë rast ka thënë që është i bindur që Lajçak, siç ka thënë ai, “si njohës i mirë i situatës dhe marrëdhënieve në rajon, do të kryejë punën me përgjegjësi dhe paanshmëri”.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, në një konferencë online të quajtur “Marrëdhëniet serbo-amerikane përballë sfidave të koronavirusit”, më 16 prill, ka thënë që Serbia është falënderuese për përpjekjet që të dërguarit specialë të presidentit të SHBA-së dhe të sekretarit amerikan të Shtetit, Richard Grenell dhe Mathew Palmer “po investojnë në planin për gjetjen e zgjidhjes së drejtë, të kompromisit dhe të pranueshëm për të dyja palët” kur bëhet fjalë për problemin e Kosovës.
Se kur do të vazhdojë zyrtarisht dialogu, tash për tash ende nuk dihet, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në anën tjetër, situata në Kosovë është e pasigurt që nga 25 marsi kur në Kuvendin e Kosovës është miratuar mocioni i mosbesimit për qeverinë e kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti.
Kurti në mënyrë të ashpër kundërshton që procesin e dialogut në të ardhmen ta udhëheqë presidenti i Kosovës. Ai ka deklaruar që edhe prapaskena e rrëzimit të qeverisë së tij ka të bëj me “tregtinë e presidentit për shkëmbimin e territoreve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në letrën të cilën Kurti ia ka dërguar Lajçakut, ka thënë që “në asnjë rast dhe situatë nuk do të diskutojë për çështjet e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe për punët e brendshme”. /Rel/