MASHT i gatshëm për fillimin e vitit shkollor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka thënë se janë gati për fillimin e vitit shkollor, por se çdo vendim do të merret duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.

Fillimi i vitit shkollor është paraparë për 13 shtator. Fillimi ishte shtyrë për shkak të situatës së rënduar me pandeminë.

Ministria Arbërie Nagavci ka mbajtur sot takim virtual me përfaqësuesit e drejtorive komunale të arsimit, përfaqësues të SBASHK-ut dhe të Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

“Ministrja Nagavci, tha se nga ana e MASHTI-t janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë bazuar në situatën epidemiologjike çdo vendim do të merret duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë. Ministrja bëri të ditur se është rishikuar udhëzuesi dhe protokollet për mësim në situatë pandemie derisa shtoi se në vizitat që ka zhvilluar në shkolla është informuar se janë të gatshme për fillimin e vitit shkollor. Ndër të tjera, Nagavci tha se, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rënduar dhe vazhdon të mbetet e tillë, derisa përmendi rëndësinë e vaksinimit të mësimdhënësve dhe prindërve”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Ndërkohë kryetari i Kolegjiumit të DKA-ve, Besim Avdimetaj, është pajtuar se janë bërë gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, ndërsa ka thënë se mësimdhënësit janë vaksinuar në një përqindje të lartë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa dëshira është të jetë me prezencë fizike, por nëse kërkon situata do të jenë të gatshëm edhe për skenarin e mësimit online.

Kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi, ka thënë se pret që Udhëzuesi të jetë në harmoni me skenarët.