Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se askush nuk guxon t’i shtyjë zgjedhjet lokale të planifikuara për tu mbajtur më 17 tetor 2021.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se propozimi i tij për të shtyrë dushatën ka marrë përkrahje nga opozita por ende nuk ka marrë përgjigje nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Këtë ai e ka quajtur arrogancë, duke shtuar se nuk do të pranojnë shtyrjen e zgjedhjeve.
“Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
Ai shtoi se, “Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigje nga kryetari i partisë së parë”.
“Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”, thotë ai.
Tutje, Abdixhiku theksoi se KQZ-ja është gati për këto zgjedhje.
“Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, thotë kryetari i LDK-së.
Tutje, ai ka thënë se fton “të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij”.
Kjo deklaratë e Abdixhikut, vjen pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbrëmë në një intervistë kishte deklaruar se për mendimin e tij personal, zgjedhjet do të duhej të shtyheshin për shkak të pandemisë.