Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i mbështetur edhe nga deputetë të grupeve tjera parlamentare, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për vlerësim të çështjes së kushtetutshmërisë të vendimeve të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, vendime me të cilat PDK-ja vlerëson se është shkelur Kushtetuta e Kosovës.
“Ne e kemi pasur një aktvendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese që ka treguar se vendimet e tilla te kufizimit te lirive nuk mund te merren nga Qeveria, por Kryeministri Kurti ka vendosur me vetëdije qe ta vazhdoje shkeljen e Kushtetutës, tani nëpërmjet ministrit të tij, Arben Vitia”, tha deputetja e PDK, Besa Ismaili.
“Bëhet fjalë për vendimet që shkelin të drejtën e lirisë së lëvizjes nga Neni 35 i Kushtetutës se Kosovës, si e drejtë e garantuar për qytetarët e Kosovës, si dhe Neni 55 i Kushtetutës, i cili shprehimisht përcakton se kufizimet e disa të drejtave të lirive të njeriut mund të bëhen vetëm me ligj”, tha ajo.
Duke folur në emër të PDK, deputetja Besa Ismaili ftoi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të bëjnë kujdes në përballje me pandeminë me koronavirus.
“Lufta jon ndaj pandemisë së COVID-19 është e përbashkët, ashtu siç duhet të jetë e përbashkët lufta jonë për ruajtjen e parimeve demokratike të shtetit tonë dhe respektimin e Kushtetutës”, tha deputetja Ismaili.