Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 1:1 me Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e katërt të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, në një përballje që nuk do të ishte e drejtë të mbyllej ndryshe, pasi futbollistët tanë ishin dukshëm më të mirë dhe më kërkues për rezultat pozitiv. Në këtë ndeshje djelmoshat tanë pas gati dy vjetësh e patën edhe mbështetjen e tifozëve “Dardanët”, të cilët ndonëse në numër të vogël për shkak të masave antiCovid ishin mjaft të zhurmshëm dhe i dhanë motiv e forcë ekipit deri në fund për të dalë të pamposhtur nga kjo sfidë. Që nga fillimi i takimit Kosova ishte më kërkuese, por nuk ia doli të gjejë rrugën e golit, edhe pse Besar Halimi nga gjuajtja e lirë dhe Fidan Aliti e Milot Rashica kërcënuan portën e Odisseas Viachodimos. Ndërkohë, atëherë kur nuk pritej në shtesën e pjesës së parë, grekët arritën të gjejnë golin e epërsisë nëpërmjet Anastasios Douvikas. Ky gol bëri që grekët në pjesën e dytë të luajnë mbrojtje të ngjeshur dhe ta zvarrisin së tepërmi lojën. Megjithatë, ishte Vedat Muriqi, ai, i cili iu hakmor grekëve në minutën e dytë të lojës shtesë, duke shënuar me gjuajtje me kokë, pasi paraprakisht Hadërgjonaj ktheu një top pas harkimit të Zymer Bytyqit. Me këtë pikë, Kosova e ruan vendin e tretë në renditjen e Grupit B, me 4 pikë, duke lënë Greqinë prapa me 3 pikë, derisa Spanja kryeson me 10 pikë e ndjekur nga Suedia, me 9 pikë.