Deputetja e PDK-së Besa Ismaili e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për të kufizuar në vetëm një orë e gjysmë lëvizjen e qytetarëve.
Kjo parti ka kontestuar këtë vendim të MSh-së që në ditët e para të saj kur është marrë, duke e cilësuar si antikushtuese dhe që cenon të drejtën elementare të njeriut për të lëvizur lirshëm.
Ditë më parë përmes një komunikate PDK ka thënë se “është e alarmuar nga vendimi i fundit i Qeverisë së shkarkuar Kurti, që ka zgjedhur mos ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke ndërmarrë një vendim që bën të njëjtën shkelje, për të cilën është shprehur kjo gjykatë”.
“Derisa qytetarët janë duke respektuar këshillat e profesionistëve shëndetësorë, Qeveria në ikje, e kapluar nga paniku i përkeqësimit të situatës pandemike, pa reshtur, po vazhdon shkeljet ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike të Kosovës.