Vetëm një muaj më parë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka pranuar donacione të vaksinave nga Polonia dhe Bullgaria. Duket se Qeveria Kurti, në gjysmën e korrikut, nuk e ka menduar se sezoni do të ketë këtë epilog. Tash janë regjistruar deri në 36 viktima në ditë, e janë të vaksinuar rreth 15 për qind e popullësisë me dy dozat. Gazeta Express ka siguruar korrespondencat me zyrtarë të MSH-së, në të cilat dëshmohet refuzimi i vaksinave në korrik. MSH-ja ka sqaruar pjesërisht pse nuk u pranuar këto donacione.
Kosova ka arritur bilanc lufte me numrin e viktimave nga Covid-19. Situata u përkeqësua si kurrë më parë në ditët e fundit të këtij gushti. Vaksinimi, ndërkaq, është akoma te rreth 15 për qindshi i popullësisë me të dy dozat dhe te 30 për qindëshi me nga një dozë.
Një muaj më parë, në korrik, duket se nuk është lexuar mirë situata që pritej të krijohej, pas shfaqjes së variantit “Delta” të virusit SARS-CoV-2. Në korrik, Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Arben Vitia, nuk e ka pranuar një donacion me vaksina, të ofruar nga Polonia dhe nga Bullgaria.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kishin vlerësuar se muaji korrik kur ishte bërë oferta për këto donacione, s’ishte kohë e përshtatshme.
Saktësisht më 15 korrik, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Pragë, Arbër Vllahiu, kishte dërguar një e-mail në adresë të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, ku i kishte njoftuar se po pret një përgjigje për një donacion me vaksina Astra Zeneca nga shteti i Polonisë.
Këtë e-mail, Vllahiu e kishte ridërguar edhe të nesërmen, meqenëse s’kishte marrë përgjigje.
“Duke ju uruar shëndet, ju lus që të më njoftoni me përgjigjen për MPJ të Polonisë rreth kërkesës për të dhuruar për Kosovën një sasi të vaksinave Astra Zeneca. Korrespondencën e djeshme me zv/Drejtorin e Departamentit për Cështjet Evropiane te MPJ të Polonisë mund ta rigjeni sërish si më poshtë kësaj porosie. Ju lutem që të me njoftoni me përgjigjen gjatë ditës me qëllim që t’ia përcjellim atë”, thuhet në e-mailin e Vllahiut drejtuar MSh’së.
Vllahiu e kishte marrë përgjigjen tek pas dy ditësh. Arsim Qavdarbasha nga MSH-ja e kishte njoftuar se ishte propozuar që oferta e Polonisë të shtyhej për një periudhë më të përshtatshme për vendin.
“Me kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqit, më lejoni të ju informoj se në bazë të diskutimeve dhe konkluzioneve nga mbledhja e përfaqësuesve të dy Komisioneve në MSh, lidhur me ofertën e Polonisë, edhe në rastin e donacionit të vaksinave Astra Zeneca, propozohet që oferta e Polonisë të shtyhet për një periudhë më të përshtatshme për vendin”, është përmbajtja e e-mailit që Qavdarbasha i ka dërguar Vllahiut.
Përveç nga Polonia, Kosova ka refuzuar që të pranojë edhe një donacion me vaksina nga shteti i Bullgarisë.
Se janë refuzuar këto donacione në korrik e kanë konfirmuar për Gazetën Express edhe nga Ministria e Shëndetësisë, duke treguar edhe arsyen e tyre pse nuk kishin pranuar këto vaksina në atë periudhë kohore.
“Eshte e vertete qe ne korrik MSh ka pasur oferta per nje sasi te vaksinave nga shteti i Polonise dhe i Bullgarise te prodhuesit Astra Zeneca. Ne ate kohe, Ministria pervec vaksinave Pfizer, i ka pasur edhe rreth 200 000 mije vaksina ne stok te Astra Zeneces, donacion nga Mbreteria e Norvegjise, disa me afat perdorimi deri me 31 korrik dhe disa me afat deri me 31 gusht 2021. edhe nga Ministria e Shëndetësisë”, kanë deklaruar nga ministria.
Nga MSH’ja deklarojnë se donacionet s’janë pranuar në mënyrë që të mos mbesin të papërdorura dhe të iu skadonte afati i përdorimit, ashtu siç ka ndodhur me vaksinat e ofruar si donacion nga Novergjia.
“Dhe, duke qene qe ne ate kohe popullata e pranonte shume pak vaksinen AZ dhe kishte Astra Zeneca te mjaftushme ne stok, per te mos rrezikuar qe donacioni qe pranohet te mbetet i paperdorur edhe per shkak te afatit gjithashtu te shkurter te e perdorimit qe kishin edhe keto vaksina qe ofroheshin nga Polonia e Bullgaria, nuk ishin marre.
Edhe vaksinat qe ishin marre donacion para ketyre ofertave, ato te Norvegjise nuk kane mundur te shpenzohen te gjitha, pikerisht per shkak te afatit te shkurter te perdorimit, dicka qe e konfirmon se marrja e atyre vaksinave, me afat te shkuter perdorimi (nga dy shtetet ne fjale), vetem se do te krijonte nje stok te vaksinave pa afat”, thuhet në përgjigjet e MSh’së.
Gazeta Express ka dërguar sërish pyetje rreth afatit të këtyre vaksinave, meqenëse, siç kemi marrë vesh, afati i tyre ka qenë deri në fund të tetorit, por nga ministria s’janë përgjigjur. Nga kjo ministri s’janë përgjigjur as kur janë pyetur nëse kanë bërë më pas kërkesa për këto donacione.
Ndryshe, javët e fundit në Kosovë, rastet që kanë përfunduar me fatalitet nga COVID-19 janë shtuar. Më 29 gusht është shënuar dita më tragjike, me 36 viktima, që prej kur është paraqitur pandemia.
Qytetarët janë ankuar se nuk po arrijnë të bëjnë termine, pasi platforma online shkruante se s’ka të lira.
Ministri Vitia në konferencën e së dielës la të kuptohej se nuk ka më vaksina, pasi tha se terminet varen nga sa vaksina janë në dispozicion. Mirëpo në Kosovë, të hënën erdhi një kontigjent tjerër me vaksina.
Gjendja është rënduar edhe në spitalet e vendit, të cilat janë në prag të limiteve. Nga mungesa e hapësirave, me pacientë janë mbushur edhe dhomat e personelit shëndetësor.
Kështu ka deklaruar Drejtori i Shërbimit Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.
“Në shumicën e spitaleve të përgjithshme, sikurse edhe në klinikat e QKUK-së, situata është shumë e rënduar për faktin se jemi detyruar që shumë shërbime të tjera të pezullohen dhe të zëmë shtretërit për pacientët me COVID-19. Në disa spitale, madje kemi filluar që edhe dhomat e personelit shëndetësor t’i shndërrojmë në dhoma për pacientë, siç është rasti në spitalin e Gjilanit dhe në spitalin e Ferizajt. Po ashtu, në QKUK, tashmë kemi pesë klinika që janë shndërruar tërësisht në njësi për COVID-19”, tha Krasniqi për REL.
Ai shtoi se brenda QKUK-së, Klinika Infektive, Pulmologjia dhe Dermatologjia, objekti i Mjekësisë Sportive, një njësi e veçantë e kujdesit intensiv, tashmë janë shndërruar në njësi për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Po ashtu, reparte të veçanta për pacientët me COVID-19 tashmë ka edhe në Pediatri dhe në Gjinekologji.