Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor që do të fillojë më 13 shtator.
Popovci në një konferencë për media bëri të ditur se janë përgatitur skenarët sikur vitin e kaluar por që janë duke u përgatitur për rikthim të plotë të nxënësve në klasa, njofton Klankosova.tv.
“Tash e kemi rishikuar edhe udhëzuesin për mësim në kohën e pandemisë i cili është hartuar vitin e kaluar dhe versioni i ri sot është gati dhe javën tjetër do të jetë në dispozicion të drejtorive komunale të arsimit. Përsëri janë skenarët a,b dhe c sikur vitin e kaluar por është shtuar si skenar i rikthimit me prezencë të plotë të nxënësve në klasa”, tha Pupovci.
Tutje Pupovci tha se sipas të dhënave që kanë deri më tani janë vaksinuar 77 përqind e mësimdhënësve dhe mbi dy mijë nxënës.
“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve shkalla e vaksinimit është 77 përqind, kurse janë vaksinuar edhe 2,369 nxënës. Rekomandimet e fundit të OBSh-së janë që shkollat të qëndrojnë të hapura”.
Zëvendësministri ftoi të gjithë mësimdhënësit që të vaksinohen ose në të kundërtën duhen të sjellin një test negativ ndaj COVID-19 çdo 72 orë.
“Nëse nuk sjellin testin nuk mund të hyjnë në klasë”.
Pupovci shtoi se shpërndarja e teksteve shkollore do të përfundoj me kohë për klasat nga e para deri në të nëntën dhe do të ofrohen falas.
“Janë bërë përgatitjet edhe për librat. Në afatin e maturës kemi pasur 200 komisionerë dhe 650 administrues. Në provim kanë hyrë mbi pesë mijë nxënës. Rezultatet e testit të maturës pritet të publikohen me 6 shtator”.