Hoxhaj i reagon ashpër Qeverisë për dështimin në politikë të jashtme: E keni paralizuar Kosovën

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, i ka reaguar ashpër qeverisë së Kosovës, duke thënë se derisa Kosova po dështon të zgjedhë 20 ambasadorët, Serbia në anën tjetër po përgatitet për ofensivë për tërheqjen e njohjeve. 

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, mëngjesin e sotëm, tani deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj tha se në vend që diplomacia kosovare ta mbronte sovranitetin e jashtëm, ajo mjerisht po e godet veten nga brenda për të qenë e paralizuar jashtë. Hoxhaj pyet ndërkohë se a është kjo rastësi, apo ka të bëjë me mosdijen.

Krejt në fund të shkrimit Hoxhaj ka thënë se Kosova asnjëherë në historinë e paspavarësisë nuk ka qenë më e rrezikuar sesa sot nga zhbërja e të arriturave në politikën e jashtme.

Shkrimi i plotë në Facebook i Enver Hoxhajt:

Mirëmëngjesi,

Politika është e jashtme, por qëllimet janë gjithmonë të brendshme! 

Që nga 1 shtatori kanë mbetur mbi 20 misione diplomatike pa ambasadorë. Disa janë të mbyllura plotësisht. Pas 4 shtatorit, Serbia ka përgatitur një ofensivë për tërheqje të njohjeve të Kosovës, siç më treguan disa miq në botë. Po ashtu, ka përgatitur edhe goditje ndaj Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku ne tashmë jemi anëtar.

Në vend që diplomacia jonë ta mbronte sovranitetin e jashtëm, ajo mjerisht po e godet veten nga brenda për të qenë e paralizuar jashtë!

A është kjo rastësi apo ka të bëjë me mosdije e papërgjegjësi? Në vitet e fundit, Kosova kishte pezulluar tërësisht politikën e jashtme!

Kjo po ndodhë kur në Evropë kemi një rirreshtim të ri, ndërsa në botë lajmet ditore janë më shumë se lajme. Janë goditje tektonike, ku jo shumë larg e shohim zinxhirin e ngjarjeve dhe pasojat direkte për Kosovën.

Politika është e jashtme, por qëllimet janë të brendshme! E kur nuk ka rezon shtetëror brenda, por iluzion për veten dhe botën, vizioni i jashtëm është politikë e rënies së lirë!

Kosova asnjëherë në historinë e paspavarësisë nuk ka qenë më e rrezikuar sesa sot nga zhbërja e të arriturave kolosale në politikën e jashtme!