Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, iu është drejtuar besimtarëve myslimanë në mbarë vendin me mesazhin e xhumasë.
Për shkak se edhe xhamitë janë mbyllur në kohën e pandemisë, Bashkësia Islame ka vendosur që besimtarëve në çdo të premte t’u drejtohen me ligjëratë.
“Solidariteti në fenë tonë është vlerë hyjnore e cila duhet kultivuar në të gjitha rrafshet dhe me të gjithë njerëzit. Kërkohet nga ne që të solidarizohemi me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën, mbështetjen e përkrahjen tonë”, ka thënë Tërnava.
Ky është mesazhi i plotë:
Me emrin e Zotit të Mëshirshëm, Mëshirëplotë
Falënderimet i takojnë Allahut të vetëm e të pashoq, Ai është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim, vetëm Atij i takon Lavdia e Madhërimi.
Salatet e selamet tona qofshin për të dashurin e Zotit, zotëriun e njerëzimit Muhamed Mustafanë, familjen e tij të pastër e shokët e tij besnik.
Të respektuar besimtarë
Qytetarë të nderuar
Vëllezër e motra,
Ka dashtë Zoti i Madhëruar që sot përsëri në kohën e xhumasë të jemi me ju, për ti ndarë disa momente bashkërisht në mënyrë që të ruajmë vazhdimësinë e të qenurit bashkë ditën e premte në vaktin e namazit të xhumasë.
Vakti i xhumasë për ne është i një rëndësie të veçantë, porositë që dalin nga minberet kanë fadilet e nimet për besimtarët tanë.
Andaj këto pak momente janë rasti i mirë që ne të reflektojmë për atë që na rrethon, me atë që përballemi dhe me atë që na pret.
Të nderuar vëllezër e motra,
Këtë javë që po e lëmë pas, në vendin tonë është rritur numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19. Rritja e numrit të të infektuarve kërkon nga ne të gjithë disiplinë e përgjegjësi më të madhe për të ruajtur shëndetin tonë.
Ajo që dua tët hem edhe sot është se duhet zbatuar udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe masat e marra nga institucionet tona që kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit tonë.
Duhet kuptuar se po përballemi me pandeminë që po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin tonë, tashmë dihet që masat e marra për parandalimin e pandemisë kanë prekur ekonomitë tona familjare.
Ne, edhe para Pandemisë kemi pasuar një kategori të njerëzve tanë skamnorë në nevoja, por këtë muaj fatkeqësisht kësaj kategorie i janë shtuar edhe një masë e konsiderueshme e familjeve që deri tash kanë punuar dhe kanë pasur një bazë solide të të hyrave me çka kanë organizuar furnizimin e familjarëve.
Mirëpo, në të njëjtën kohë jemi të obliguar që të kujdesemi për ata që kanë nevojë që në këtë kohë nuk mund të sigurojnë të hyrat e mjaftueshme në ekonomitë e tyre familjare.
Për ta zbutur krizën në të cilën gjendet një kategori e shoqërisë sonë jemi të obliguar që të jemi solidarë, të jemi bamirës, të jemi human, të jemi pranë atyre që kanë nevojë për mbështetjen tonë.
Vëllezër e motra!
Solidariteti në fenë tonë është vlerë hyjnore e cila duhet kultivuar në të gjitha rrafshet dhe me të gjithë njerëzit. Kërkohet nga ne që të solidarizohemi me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën, mbështetjen e përkrahjen tonë.
Solidaritet sot është të jesh pranë fëmijëve, që ti dëgjosh me kujdes kërkesat e tyre, solidaritet sot është të jesh pranë të moshuarve ti dëgjosh hallet e tyre, solidaritet sot është të përshëndetesh me mirësi fqinjin tënd, ky është ahlaku ynë, kjo kërkohet nga ne.
Mirëpo solidaritet, mirësi e bamirësi është që të ndihmosh atë që sot kanë nevojë për ndihmën e mbështetjen tonë, I Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedia.s., e ka theksuar solidaritetin si vlerë të rëndësishme për besimtarin, e po ashtu, ai vetë me veprimet e veta, ka dhënë shembullin më të mirë për këtë gjë.
Ai aq tepër ka folur dhe ka vepruar në drejtim të solidaritetit, sa që me plotë të drejtë mund të konsiderohet mësuesi më i madh i njerëzimit për solidaritet dhe ka qenë njeriu më bujar e fisnik.
Ndihmën, kujdesinë, mbështetjen që e bëjmë për ata që kanë nevojë sot, së pari e fisnikëron shpirtin e bamirësit e tek pastaj të atyre që përfitojnë nga bamirësia.
Bamirësi gjithmonë është fitues, sinë këtë botë ashtu edhe në ahiret , Allahu i Madhërishëm ka garantuar se shpërblimi nuk do t’i humbët, Ai për këtë në Kuranin e madhëruar thotë:
“Allahu, bamirësve nuk do t’ua humbë shpërblimin.” (et-Tevbe, 120)
Ndihma, kujdesi e mbështetja për ata që kanë nevojë përveç tjerash është edhe shenjë e besimit të kalitur në Zotin. Për këtë Allahu xh.sh. në Kuran thotë: Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqa, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë.(tevbe 71)
Vëllezër e motra!
Ne, siç po përballemi me pandeminë e cila na ka ndryshuar e vështirësuar mënyrën dhe ritmin e punës e jetës, mirëpo tashmë, jemi edhe në prag të muajit të Ramazanit, andaj kjo na bënë që edhe më tepër ti kushtojmë rendësi kujdesit për ata që kanë nevojë.
Kërkohet nga ne të kontribuojmë të gjithë me mundësitë që kemi që Muajin e ramazanit, ata që sot janë në vështirësi momentale ekonomike ta presin pa një sfidë më pakë, të paktën mos të kenë hallin për gjërat elementare.
Ne si popull, solidaritetin e bamirësinë e kemi të njohur, e të kultivuar nderë shekuj e ndër breza saqë është kthyer në virtyt, dhe fal këtij virtyti kemi arritur që të përballemi dhe me sukses ti kalojmë shumë vështirësi gjatë historisë sonë. Kemi ditur që të jemi pranë njëri – tjetrit, dhe jam mese i bindur që këtë do ta bëjmë në formën më të mirë edhe tani gjatë kësaj krize.
Janë për tu përshëndetur nismat e institucioneve tona për ti ndihmuar të gjithë ata që u prekën nga kjo situatë, po ashtu duhet përshëndetur edhe OJQ e fondacione të ndryshme që po kontribuojnë në tejkalimin e kësaj situate.
Në këtë rrafsh, ne Bashkësia Islame e Kosovës, përmes Shoqatës bamirëse “Bereqeti” kemi ndërmarr Aksionin “Sofra e Ramazanit”, me të cilin do ti ndihmojmë familjet që kanë nevojë për mbështetjen e kujdesin tonë.
Andaj, e gjejë të udhës që edhe një herë t’ju ftoj të gjithë pa përjashtim që të kontriboni me mundësitë që keni që aksioni ynë të jetë sa më masiv, sa më gjithëpërfshirës me të vetmin qëllim, që të begatojmë sofrën e Ramazanit për ata që janë në nevojë.
Falënderoj, të gjithë ata që deri më tani iu kanë përgjigjur kësaj nisme, inkurajoj të tjerët që të mbështesin e të kontribuojnë për këtë nismë të mbarë e të hajrit.
E kemi obligim të ndihmojmë kur kemi mundësi, me këtë rast ftojë edhe njëherë besimtarët tanë që në këtë kohë të vështirë të jenë solidarë, ftoj po ashtu të gjithë ata që Zoti u ka dhënë bereqet që të ndihmojnë aksionin tonë. Sevapet për solidaritet e bamirësi janë të shumëfishta , është pyetur në një rast pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., cili njeri është më i dashur tek Zoti?. Pejgamberi a.s., u përgjigj: Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që është më i dobishmi për njerëzit, ndërsa veprat më të mira tek Allahu janë ta gëzosh një besimtar,ti largosh një brengë atij, tia paguash një borxh të tij, ose ti’a largosh etjen e urinë atij”.
Kurse pejgamberi a.s. në një hadith tjetër na porositë duke na thënë: “Kush i del në ndihmë vëllait tij, atij do t’i dalë në ndihmë Zoti i Madhërishëm!”
Krijuesi ynë i di veprat tona të mira andaj bamirësia të cilën e bëjmë ne duhet të jetë vetëm në emër të Zotit të Madhërishëm, e kurrsesi në emër të lavdisë dhe të interesave të kësaj bote.
O Zot i Plotfuqishëm, Ruaje popullin e vendin tonë, O Zot na i prano veprat tona të mira, na bën ne bamirës, e na përmirëso gjendjen tonë, dhe Lehtësoji ata që janë në vështirësi!
Amin.
Prishtinë,17 prill 2020
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava