Profesori universitar Resul Sinani, ka botuar dy libra online: “Hulumtime në fushën e medias dhe komunikimit I” dhe “Roli i televizionit në komunikimet socio-kulturore kombëtare”.
Në librin me titull “Hulumtime në fushën e medias dhe komunikimit I” janë të botuar 10 artikuj shkencorë të cilët kanë qenë të botuar në gjuhën angleze nëpër Revista Shkencore ose janë prezantuar nëpër Konferenca Shkencore Ndërkombëtare dhe janë botuar nëpër Proceedings të tyre, ndërsa tani botohen në gjuhën shqipe.
Kurse libri i dytë me titullin “Roli i televizionit në komunikimet socio-kulturore kombëtare” botohet disertacioni i doktoratës por i adaptuar për libër.
Përmes këtij libri, Sinani e përkujton udhëheqësin shkencor të doktoratës prof. dr. Gilman Bakalli, i cili kishte ndërruar jetë pak kohë pas mbrojtjes publike. Po ashtu në kopertinën e librit janë vendosur thekse nga vlerësimi që prof. Bakalli kishte bërë rreth punimit të z. Sinani, ku ndër të tjera kishe thënë: “Studimi i Resul Sinanit mund të konsiderohet i dobishëm nëse marrim parasysh faktin se studimet me objekt studimi përmbajtjen programore televizive mungojnë në të dy anët e kufirit shqiptar. Si i tillë, ky studim mund të shërbejë si bazë referuese të dhënash shkencore për studimet e më vonshme relevante. Një tjetër aspekt specifik origjinal i punimit buron edhe nga një dukuri tjetër: përgjithësisht punimet me objekt rolin e televizionit në fusha të ndryshme të shoqërisë priren të venë në pah aspekte negative të këtij ndikimi. Sinani, në të kundërtën, evidenton një rol integrues pozitiv të televizionit në aspektin kulturor të shqiptarëve”.
Të dy këto libra janë botuar nga Shtëpia Botues “Bogdani” në Bruksel dhe Prishtinë, me drejtor të botimeve prof. ass. dr. Jeton Kelmendin, ndërsa recensentë të librit janë dr. sc. Ferid Selimi dhe dr. sc. Gazmend Abrashi.
Librat e fushës së komunikimit janë të pakta në gjuhën shqipe, prandaj do t’ju shërbejnë në radhë të parë studentëve të gazetarisë, medias dhe të komunikimit, por gjithashtu edhe studiuesve të këtyre fushave.
Resul Sinani është profesor dhe dekan i Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB.