Kosova vazhdon të jetë në gjendje të rënduar sa i përket gjendjes me pandeminë COVID-19.
Në kuadër të kësaj është duke vazhduar edhe procesi i vaksinimit të qytetarëve, ani pse shumë prej tyre janë ankuar se nuk po kanë mundësi të marrin vaksinën, shkaku i mungesës së terminëve të lira.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia mbrëmë në konferencë për media bëri të ditur edhe numrin e vaksinave që aktualisht janë në dispozicion për qytetarët. Vitia bëri të ditur gjithashtu se
edhe sot pritet të arrijnë 55 mijë doza Pfizer në bazë të kontratës së nënshkruar.
“Janë 38 mijë e 610 vaksina të kompanisë Pfizer në IKSHPK, por ka edhe një numër të konsiderueshëm që e kalon diku 10-15 mijë që janë në komunat përkatëse për dozën e dytë apo që janë furnizuar në fundjavën që e lamë pas. Të kompanisë AstraZenca në IKSHPK janë 132 mijë e 438 vaksina, duke llogaritur edhe mbi 5 mijë vaksina nëpër komuna. Nesër sipas asaj që thash që në fillimjavë na vijnë vaksina nga kompania Pfizer sipas kontratës bilaterale presim që të na vijnë edhe 55 mijë doza të reja për këtë javë”, tha Vitia.
Ndryshe edhe bashkëpunëtori i kryeministri Kurti, Arianit Beqiri ka treguar se sot do të arrijnë këto vaksina.
“Në stoqet tona për momentin janë: – 38,610 vaksina Pfizer në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK). Mirëpo, janë edhe +15,000 vaksina që janë nëpër komunat përkatëse. – 132,438 vaksina AstraZeneca. Sot pritet të vijnë rreth 55,000 doza të reja”, ka shkruar Beqiri në Facebook.
Ndryshe, sot në tërë territorin e Kosovës kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID-19, pas situatës së rënduar.