Selim Pacolli ka treguar se nuk do të kandidojë për kryetar të Prishtinës, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar, bazuar në një aktvendim të vitit 2019, ku ka bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas afatit.
“Sapo morra lajmin se KQZ nuk do ta certifikoj kandidaturën time për kryetar të Prishtinës.”
“Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim, (përfshirë ditët e vikendit)”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
“Me saktë, afati ishte të Premten, ndërsa deklarimi të Hënën, në orën 8 të mëngjesit në prezencën time fizike. Kjo vonesë ka ndodhë si pasojë e udhëtimit tim për çështje shëndetësore jashtë vendit.”
Ai e ka komentuar vendimin si të palogjikshëm, megjithatë ka thënë se do ta respektojë.
“Edhe pse në esencë ky është një vendim arbitrar dhe i palogjikshëm, vendimet e gjyqësorit janë të shenjta dhe të padiskutueshme.”
“U betohem që edhe pse nuk do të jem zyrtarisht kandidat për kryetar të Prishtinës, dëshira dhe angazhimi im për qytetarët e Prishtinës është edhe më i madh. Unë do të ju qëndroj besnik dhe do ti mbështes ne cdo hap të gjithë kandidatët e listës sonë për kuvendin komunal, e në veçanti kandidatin e subjektit tim AKR për kryetar të Prishtinës.”