Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka qenë në situatë pothuajse të ngjashme me atë të Sami Lushtakut, ku iu refuzua certifikimi për kandidim për kryetar të Skënderajt nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Kurtit iu kishte refuzuar kandidimi për të qenë bartës i listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit nga KQZ.
Pajaziti në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se pas kësaj ky subjekt e ka emëruar Fadil Nurën për të qenë kandidat për kryetar të Skënderajt.
“Jemi në procesin final të përgatitjeve për zgjedhjet lokale, e kemi pritur vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor lidhur me certifikimin e kandidatëve. Fatkeqësisht, edhe Sami Lushtaku u pengua që të jetë kandidat për të parin e Skënderajt, çështje të tilla të sundimit të ligjit nuk vijnë si rezultat i një platforme ligjore që e kemi në vendin tonë. Por shpesh herë edhe si mënyrë e menaxhimit dhe respektimit të kësaj infrastrukture ligjore. Ju e dini tashmë se edhe kryeministrin e vendit e kemi pasë në të njëjtën situatë. Por, ai po e ushtron detyrën e tij si kryeministër i vendit, pavarësisht që është me një vendim të Gjykatës apo me një dënim të Gjykatës”.
“Kemi menduar që kjo do të menaxhohej nga Qeveria që të rregullohet ana ligjore, që të mos ketë pengesa për njerëzit që duhet të garojnë ose për njerëzit që nuk do të duhej të pengoheshin të garonin në zgjedhje. Sidomos pas rastit të kryeministrit dhe disa ministrave që janë me vendime gjyqësore dhe janë duke udhëhequr”.
“Lushtakun e kemi pasë dje para mediave ka sqaruar të gjithë ata që ka të bëjë me pozicionin e tij. Atë e kemi zëvendësuar me një njeri shumë të respektuar, Fadil Nurën. Lushtaku do të jetë pranë tij dhe qytetarëve të Skënderajt. Po e përsëris edhe njëherë me të njëjtat dënime kemi kryeministrin, ministria dhe deputetë në Kuvendin e Kosovës. PDK e ka rolin prijës dhe në tre palë zgjedhje nuk i lë të garojnë njerëzit me vendime gjyqësore apo edhe që kanë aktakuza aktive”, ka thënë Pajaziti.