Kjo është 18 vjeçarja që u la e vdekur në Spitalin e Ferizajt mbrëmjen e kaluar

Një ngjarje tragjike u raportua të ketë ndodhur ditën e djeshme në rajonin e Ferizajt.

Pa shenja jete u dërgua në Spitalin e Ferizajt 18 vjeçarja e cila sipas raportimeve të para dyshohet të jetë keqtrajtuar fizikisht.

Viktima e mbrëmshme është 18 vjeçarja Marigona Osmani.

E njëjta ishte dërguar nga dy persona të dyshimtë në objektin e spitalit, të cilët më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas kësaj, Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë njërin nga të dyshuarit A.S, të cilit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., gjendet ende në arrati dhe i njëjti dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë , ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, u tha ndër të tjerash në njoftimin e prokurorisë.

Ndryshe trupi i pajetë i 18 vjeçares është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.