18-vjeçarja dyshohet se po bashkëjetonte me njërin nga të dyshuarit, detaje të reja nga rasti në Ferizaj

Gazeta Express merr vesh se dyshohet që 18-vjecarja M.O që u dërgua dje në mesditë pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt, ishte duke bashkëjetuar tash e një kohë me 29-vjecarin që është në arrati me inicialet D.K, 29-vjecar.

Prokuroria Themelore në Ferizaj përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se një person është ndaluar lidhur me rastin e vdekjes së 18-vjeçares që u la pa shenja jete në emergjencën e kësaj komune, ndërsa, një person tjetër vazhdon të mbetet në arrati.

Sipas prokurorisë, A.S dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, bashkë me të dyshuarin, D.K.

Të njejtët bëhet e ditur se kanë keqtrajtuar fizikisht të ndjerën, që si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj,  me vendim të prokurorit, është ndaluar një (1) person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale  “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes”, bëhet e ditur.

Gazeta Insajderi i ka publikuar dje fotografitë e dy personave të dyshuar në këtë rast që po cilësohet “Vrasje e rëndë”, nga organet e rendit.

Fotografitë e tyre dje janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës.

Po ashtu mësohet se vetura me të cilën u dërgua viktima në spital është Audi A8 me ngjyrë të zezë dhe ka targa të Zvicrës.