Studimi i përmasave të gjera ka treguar se ilaçi ka ngadalësuar simptomat e sëmundjes COVID-19, kur është marrë si formë e trajtimit parandalues.
Një studim i përmasave të gjera për ilaçin me antitrupa të kompanisë farmaceutike “AstraZeneca” ka treguar se kura e redukton theksueshëm rrezikun nga zhvillimi i simptomave të sëmundjes COVID-19, ka njoftuar të premten kjo kompani.
Studimi klinik i fazës së tretë ka treguar se ilaçi, i cili është kombinim i dy antitrupave jetëgjatë, ka qenë në gjendje ta reduktojë rrezikun nga zhvillimi i simptomave të COVID-19 për 77 për qind kur u është dhënë pacientëve që ende nuk i ishin ekspozuar koronavirusit, ka raportuar e përditshmja “Wall Street Journal”, duke i shpalosur gjetjet e studimit.
Asnjë pacient që e ka marrë ilaçin, i cili është emërtuar AZD7442, nuk ka zhvilluar formë të rëndë të sëmundjes.
Ndërkaq, nga mesi i vullnetarëve të përfshirë në studim që i janë nënshtruar efektit placebo, tre kanë zhvilluar formë të rëndë të COVID-19 dhe dy prej tyre kanë vdekur, ka bërë të ditur studimi.
Kompania ka njoftuar se do t’i paraqesë rezultatet e studimit në një revistë shkencore dhe do t’i përdorë më pas ato për ta mbështetur miratimin për ilaçin nga rregullatori, ka shkruar gazeta amerikane.
Zyrtarë në “AstraZeneca” kanë bërë të ditur se ilaçi mund të ndihmojë veçanërisht si trajtim parandalues te pacientët te të cilët vaksinat mund të mos jenë shumë efikase.
Në mesin e disa pacientëve me sisteme të dobëta imunitare, për shembull shkaku se kanë pasur transplantim të ndonjë organi, është vërejtur reagim joefikas ndaj vaksinave anti-COVID.
Mene Pangalos, njëri prej zëvendësshefave ekzekutivë të “AstraZenecas”, ka lavdëruar rezultatet e studimit dhe ka thënë se do të nevojiten mjete të tjera për ta ndihmuar shkallën e lartë të rrezikut “që nuk është mbrojtur në mënyrë adekuate nga vaksinat kundër COVID-19”.
Rezultatet e studimit bazohen në 25 rastet e zhvillimit të sëmundjes simptomatike të COVID-19 nga gjithsej 5.172 pacientët që nuk kanë qenë pozitivë për koronavirus kur studimi ka filluar. “AstraZeneca” ka bërë të ditur se mbi 75 për qind e pjesëmarrësve në studim kanë pasur sëmundje shoqëruese, të cilat i bëjnë ata më të cenueshëm ndaj virusit.
Ilaçi AZD7442, sipas raportimit të Wall Street Journal, përdor antitrupat monokronalë, të cilët e imitojnë mbrojtjen e natyrshme të trupit për ta shënjestruar virusin. “AstraZeneca” ka bërë të ditur se antitrupat janë modifikuar paraprakisht për t’i bërë ata më afatgjatë dhe kësisoj mund potencialisht “të ofrojnë mbrojtje prej më shumë se 12 muajsh nga COVID-19, pas një administrimi të vetëm”.
Një studim i mëhershëm mbi ilaçin, në kuadër të të cilit është shikuar mundësia e trajtimit të COVID-19 mes pacientëve që veçse i janë ekspozuar virusit, ka gjeneruar rezultate negative gjatë qershorit.