Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se perspektiva e Ballkanit Perëndimor është peng i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Rrugëtimi i Kosovës drejt familjes evropiane është i pa zëvendësuar dhe në këtë drejtim partneriteti dhe bashkëpunimi rajonal është i pa alternativë. Mirëpo ky partneritet duhet të ndërtohet në barazi politike ekonomike me të gjitha vendet anëtare. Këtë e dëshmon edhe themelimi i Bashkimit Evropian në vitin 1958, edhe Beneluksi dhe iniciativat e tjera të suksesshme evropiane. Për fat të keq Kosova në iniciativa të ndryshme në rajon nuk është i barabartë me vendet e tjera dhe këtë situatë e rëndon më shumë mosnjohja e realitetit në të Kosovës nga Serbia dhe një politikë agresive ndaj Kosovës që po shfaqet kohët e fundit”, tha ai.
Sipas tij, Kosovës nuk duhet i duhet politika refuzuese, por politikë argumentuese dhe të jetë në koordinim me miqtë ndërkombëtar në krye me ShBA.
“Procesi i Berlinit, Marrëveshja e Uashingtonit dhe Marrëveshjet e Sofjes të vitit 2020, sa i përket katër lirive të lëvizjes të Ballkanit Perëndimor dhe Marrëveshja për tregun rajonal duhet të jenë në agjendën e qeverisë së Kosovës”, tha Gërxhaliu.
Ai ka folur edhe për bashkëpunimin Kosovë Shqipëri e që sipas tij liderët e dy vendeve duhet të lënë anash inatet e tyre politike.
“Liderët duhet të kuptojnë se mbi interesat e tyre politike duhet të jenë interesat kombëtare, sepse përafrimi interesave të dy shteteve të një kombi të ndarë do të forcojë besimin tek qytetarët dhe në të njëjtën kohë do të përforcojë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu.