Gashi e Shala lëshojnë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ku u diskutua nisma ligjore e Vjosa Osmanit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka lëshuar mbledhjen e kryesisë ku po diskutohej për nismën legjislative të iniciuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani për luftimin e pandemisë.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai ka deklaruar se së bashku me nënkryetarin e Kuvendit, Kujtim Shalën e kanë lëshuar mbledhjen e kryesisë.

“Për shkak të pamundësisë që të kemi një marrëveshje edhe të pa dëshirës që të mirëkuptohet mënyra se si ne e kemi dhënë sqarime për këtë çështje, e kemi përsëritë disa herë procedurën me rregulla, nuk kanë dashtë me kuptu, ne e kemi lëshu mbledhjen e kryesisë jemi largu, në mungesë tonën nuk kanë marrë vendim ka mbetë që të martën të takohemi edhe njëherë. Zonja Osmani është deputete dhe ka të drejtë me marrë nisma, ka marrë një nismë që është në procedurë por nuk mund të procedohet më tutje për shkak të pengesave”, ka deklaruar ai

Gashi ka përmendur se të njëjtin qëndrim e kanë pasur edhe komisioni për legjislacion mirëpo, Osmani ka zgjedhur që të veprojë ndryshe.

“S’ka të bëjë me zonjës Osmani por për qeverinë, ose të ndryshohet rregulloja se duhet të shkojë në Qeveri. Zonja Osmani ka një nismë legjislative që nuk mund të procedohet më tutje për shkak të procedurave dhe rregullave, demokracia është rregull”, tha shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.