Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka kritikuar qasjen e dy partive, LDK-së dhe PDK-së, që patën në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, ku po diskutoheshin tri projektligje që lidhen me luftën ndaj pandemisë.
LDK-ja dhe PDK-ja lëshuan mbledhjen, raporton KOHA.
“Kemi konstatuar dhe prapë po vazhdojmë të ritheksojmë që proceduralisht janë plotësuar kushtet që të procedohen këto projektligje. Nuk është kryesia e Kuvendit ku ne duhet të diskutojmë për materien e këtyre projektligjeve. Nënkryetari i LDK-së dhe shefi i Grupit parlamentar lëshuan mbledhjen, duke krijuar një atmosferë jobashkëpunuese. Të tri projektligjet kanë të bëjnë me gjendjen e përballjes me pandeminë”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, LDK-ja nuk është e shqetësuar për qytetarët, por për të marrë drejtimin e Qeverisë.
“Duket që LDK-ja nuk është e shqetësuar as për qytetarët e as për luftën ndaj koronavirusit, por për luftën kundër Qeverisë. E përqendruar në këtë luftë jo vetëm për qeverisjen e saj, por edhe për ndihmën që me ia dhënë qytetarëve. LDK-ja e ka në mendje një bashkëpunim me Thaçin për të ndërtuar në mënyrë kundërkushtetuese koalicione që i ka proklamuar kohëve të fundit. Qeveria duhet të ndihmohet”, ka thënë Selimi.