Protestojnë banorët e rrugës “Muharrem Fejza”, paralajmërojnë padi ndaj Komunës

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë kanë protestuar para Komunës për të shprehur pakënaqësitë me mospërfundimin e punimeve në këtë rrugë. Ata paralajmëruan padi.

Përfaqësuesi i banorëve, Dren Shahini, ka deklaruar se zvarritja e punimeve në “Muharrem Fejza” ua ka vështirësuar jetesën atyre dhe se deri më tani nuk është përfunduar asgjë.

“Zhurma akustike që zhvillohet nga punimet, punimet po bëhen pa një siguri minimale të punimeve. Duhet të ecim përmbi kabllo dhe punime, sepse duhet dika të lëvizet. Nuk jetohet vetëm kur të përfundohet rruga, jetohet gjithmonë. Kurrgjë nuk po shtojnë, asgjë nuk po heqin, ejani jetoni realitetin. Nuk është projekt vizionar, nuk po zgjidhet asgjë. E dimë që pas 2-3 muajsh prapë do të hapen punimet për atë që keni harruar ju. Nuk kemi oksigjen, sot duhet të planifikojmë një orë e gjysmë prej lagjes për të mbërritur këtu. Bëjmë 40 minuta për ta kaluar nga lagjja. Shumë bashkatdhetarë që janë pjesë e jona në lagje s’kanë mundur t’i shijojnë pushimet për shkak tuajin”, deklaroi ai.

Shahini ka potencuar se udhëheqësit e Komunës janë përgjumur, dhe kjo ka bërë “përgjumjen e jetës së qytetarëve”.

“Unë e di që ju të gjitha këto i dini, mbaroni mandatin faqebardhë, dilni kërkoni falje morale, jemi duke konsultuar shumë zyra dhe padia për ju do të jetë e pashmangshme. Padi ndaj ju do të ketë, këtë po ua premtojmë, bashkangjitur peticionin. Sot mund të jemi pak në numër por këto janë të vërteta”.

Para protestuesve ka dalë drejtori i Investimeve Kapitale, Gëzim Mehmeti, i cili i ftoi të takohen në zyre dhe t’i shprehin pakënaqësitë.

“Banorët mund të mbesin pa ngrohje, nëse doni mund ta kryejmë për tri javë. Ejani dhe çdo ankesë që keni e diskutojmë, unë ju mirëpres çdoherë. Dyert i keni të hapura, presim çdo ankesë. Kur është iniciuar projekti. Dëshira ynë është të kryhet”, tha Mehmeti.