Pas publikimit të audio-incizimeve anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Driton Muharremi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e anëtarit në këtë këshill.
Në letrën që Muharremi i ka dërguar kryesuesit të KGJK-së, i njëjti ka thënë se përkundër faktit se këto incizime janë të orkestruara nga grupe interesi, qëllimi i tij është mbrojtja kredibilitetit të institucionit të KGJK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Jeni dëshmitarë të disa incizimeve jo ligjore të publikuara këto ditë nga një portal në Kosovë ku unë dëgjohem duke biseduar me një person! Edhe pse konsideroj se këto incizime janë keqinterpretuar, nuk kanë asgjë të bëjnë me atë që dikush pretendon të duken dhe janë komplet të orkestruara nga grupe interesi, se nuk kanë të bëjnë fare as me punën time si gjyqtar e as i anëtar i KGJK-së ( pasi që në atë kohë nuk kam qenë anëtar i KGJK-së) për çka besoj që kjo do të vërtetohet në ditët ne vazhdim, jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e anëtarit të KGJK, me te vetmin qëllim që institucioni i KGJK-se të mbetet i pa kontestuar jo vetëm nga publiku por edhe nga grupet e interesit që kanë tendenca të ndërhyrjes në sistemin gjyqësor!”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Muharremit.