Ylli i boksit Anthony Joshua ka insistuar që sa më shpejt të mbahet meçi me Tyson Furyn, në mënyrë që të caktohet kampioni i padiskutueshëm i peshës së rëndë në boks.
Britaniku Joshua është kampion bote në versionet WBA, IBF, WBO dhe IBO në peshën e rëndë, ndërsa Fury ka titullin tjetër të madh, atë WBC.
“Nëse vërtetë dëshiron të thuash se je numër një, eja të luftojmë. Unë kam titujt tjerë, kështu që natyrisht se ka kuptim dueli. Unë jam kampion i unifikuar i botës në peshën e rëndë, ai është vetëm kampion i versionit WBC. Çfarë kuptimi do të kishte ky meç? Do të dilte kampioni i padiskutueshëm i peshës së rëndë. Logjikisht për t’u dëshmuar se jam numër një, unë duhet të ndeshem me Tyson Furyn. Po ashtu ai duhet të ndeshet me mua”, ka thënë Joshua në një intervistë për Sky Sports.
Mirëpo, Fury së pari është i obliguar të luftojë për herë të tretë me Deontay Wilderin, meç që është paraparë të mbahet në tetor. Ndërkohë Joshua do të mbrojë titujt kundër bullgarit Kubrat Pulev.
“Meçi do të duhet të ndodhë pasi kurrë nuk do të ketë një kohë tjetër si kjo”, ka thënë Joshua.
Joshua në ringun profesionist ka 23 fitore (21 KO) dhe një humbje. Tyson Fury ndërkohë ka 30 fitore (21 KO) dhe një barazim. Fury e fitoi titullin e botës në versionin WBC, duke e mposhtur amerikanin Wilder me nokaut teknik në raundin e shtatë.