Prishtina mposhtet në Uells, por kualifikohet në raundin e tretë në Ligën e Konferencës

Prishtina është mposhtur me rezultat 4-2 nga Connah’s Quay Nomads në ndeshjen kthyese të raundit të dytë në Ligën e Konferencës, por ka siguruar kualifikimin tutje pas fitores së thellë në ndeshjen e parë.

Kampioni i Kosovës është kualifikuar tutje, pasi ka eliminuar kampionin e Uellsit, shkaku i fitores 4-1 në ndeshjen e parë në kryeqytet.

Pjesa e parë e ndeshjes kthyese u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por me Prishtinën që ishte më konkrete duke shënuar dy gola, kundrejt një të vendasve.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e tretë dhe ishin vendasit që kaluan në epërsi 1-0 me anë të Jamie Insall, por Prishtina arriti të kthehet në lojë dhe të shënojë dy gola për të barazuar rezultatin dhe kaluar në epërsi.

Ishte mesfushori Endrit Krasniqi që shënoi dy golat, ku fillimisht shënoi në minutën e 29-të për 1-1 dhe në minutën e 36-të shënoi për 1-2 dhe më këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, Prishtina luajti mirë, por ishte shumë e pavëmendshme duke pranuar tri gola nga tri episode të ndryshme dhe nga gabimet amatoreske.

George Horan (47’) barazoi rezultati në 2-2, ndërsa Jamie Insall (57’) shënoi golin e dytë personal dhe të epërsisë 3-2 për vendasit.

Vendasit arritën ta gjejnë golin edhe me anë të Callum Morris (82) për 4-2, por ky doli të jetë goli i fundit dhe i rezultatit përfundimtar duke bërë që Prishtina të kualifikohet tutje.

Me këtë humbje 4-2, Prishtina kalon në raundit tjetër ku do të ndeshet me norvegjezët e Bodo Glimt. /Telegrafi/