Xhevat Jakupi, mikrobiolog dhe shef i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë se pandemia ka gjetur vendin në pozitë shumë të papërshtatshme.
Në një intervistë dhënë në emisionin “Desku” në KTV, ka thënë se shteti asnjëherë nuk e ka pasur prioritet shëndetin publik.
Tash kur koronavirusi është përhapur në botë në mbi 2 milionë raste, në Kosovë ekziston vetëm një laborator ku mund të kryhen testet, ai i Mikrobiologjisë Molekulare në kuadër të IKSHPK-së.
“Maqedonia i ka kontraktuar 3-4 edhe private dhe përkrahen nga sigurimet dhe pos atij publik, një pjesë e mostrave dërgohen edhe në Institutin e Veterinarisë”, ka thënë Jakupi.
Ai ka vlerësuar se jo vetëm shteti e ka lënë anash këtë. Sipas tij, edhe te mjekët ka pak interes të ndjekin një rrugë të gjatë shkollimi për të përfunduar si mikrobiologë apo epidemiologë.
Sipas Jakupit, edhe për këtë duhet të mendojë shteti, duke stimuluar ata me paga dhe kushte më të mira.
“Diagnostikën e sëmundjeve ngjitëse nuk e shohin si diçka fitimprurëse”, tha ai.
Mikrobiologu Jakupi tha se tërë buxheti vjetor i departamentit që udhëheq është 210 mijë euro, ndërkohë që deri vonë ishte 160 mijë.
“Një buxhet tejet i limituar, kryhen mbi 200 mijë shërbime, mosdhënia e prioritetit të nevojshëm ka rezultuar me këtë situatë”, tha Jakupi.
Ai është ankuar edhe për kushtet në ambientin ku kryhen këto analiza. Thotë se nuk ka biosiguri.
“Bëj vazhdimisht kërkesa, por në shumicën e rasteve nuk marr përgjigje. Kemi bërë kërkesa për përmirësim të infrastrukturës, për aparaturë për ndërtesë të re. Ajo ku jemi nuk i plotëson kushtet e biosigurisë, është diku 60-vjeçare, kemi problem me pacientë ambulantorë, që s’kanë hapësirë për pritje. Fatkeqësisht shëndeti publik është neglizhuar që nga paslufta, nuk është marrë seriozisht asnjëherë. Shëndeti publik është i rëndësishëm dhe duhet investuar, jemi zonë endemike”, ka thënë Jakupi.
Ai ka treguar se nevojat janë edhe për më shumë mikrobiologë e epidemiologë.
Ka folur edhe për vaksinën kundër koronavirusit. Thotë se ajo do të ishte arma më e mirë për të fituar këtë betejë, por shton se duhet ende kohë.
“Minimumi duhen 9 muaj punë. Nëse do ta kishim vaksinë para vitit të ri, do të ishte shumë sukses”, u shpreh Jakupi në emisionin “Desku”.