Tri institucione mikrofinanciare islame në Kosovë lëshojnë kredi pa kamatë për klientët e tyre, por me fitim për ta. “Start”, “TIMI Invest” dhe “Pro Finance Home”, janë institucione të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës (BQK).
Zyrtarë të kësaj banke pranojnë se “Start” dhe “TIMI Invest” janë të regjistruara si institucione që ofrojnë shërbime financiare islame. Njëri ka licencë të funksionojë si institucion mikrofinanciar (IMF) dhe tjetri si institucion financiar jobankar (IFJB).
“Ato janë regjistruar, kanë licencë për të kryer veprimtarinë e kredidhënies dhe praktikojnë shërbime financiare me parime islame”, thuhet në një përgjigje të BQK-së.
Numri aktual i klientëve në “Start” dhe “TIMI Invest” është mbi 700, derisa vlera e kredive të mbetura arrin në mbi pesë milionë euro.
Edhe institucioni jobankar “Pro Finance Home” është i licencuar në BQK, por nuk specifikohet që ofron sherbime financiare islame. Megjithatë, njëri nga aksionarët e këtij institucioni, Vedat Salihu, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se edhe ata merren me shërbime financiare islame.
Institucionet mikrofinanciare (IMF), veprimtari primare e kanë dhënien e kredive dhe ofrimin e një numri të kufizuar të shërbimeve financiare. Kurse, institucioni financiar jobankar (IFJB) është i angazhuar në dhënien e kredive, hyrjen në hua dhe kontrata qiradhënieje financiare – lizingu, në nënshkrimin, tregtimin, ndërmjetësimin ose shpërndarjen e letrave me vlerë.
Qëllimet e këtyre institucioneve
Institucioni mikrofinanciar “Start” është themeluar dhe regjistruar në BQK në vitin 2002. Informacionet mbi këtë institucion janë të pakta në internet. Në rrjetin social Facebook, institucioni në fjalë nuk ka informacione për qëllimin dhe veprimtarinë, ndërsa faqja zyrtare nuk i funksionon. “Start” është i regjistruar si institucion mikrofinaciar me kapital të huaj.
Sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ky institucion ka 498 kredimarrës me mbi 2.7 milionë euro kredi të mbetura.
Përpjekjet e Radios Evropa e Lirë që të kontaktojë ndonjë zyrtarë të këtij institucioni, kanë rezultuar pa sukses.
Institucioni tjeter “TIMI Invest”, siç thuhet në faqen e tij zyrtare, ka për qëllim të ndërtojë dhe mirëmbajë teknikat moderne të bankimit pa kamata, të sigurojë një sistem transparent zhvillimor dhe “të bëhet organizatë e fuqishme”. “TIMI Invest”, sipas BQK-së, ka pasur 221 kredimarrës më shumë të mbetur të kredisë, me mbi 2.6 milionë euro.
Nexhemdin Kahrimani, pronar i këtij institucioni jobankar, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë pranon se bankimi është pa kamatë, por jo pa fitim.
Sipas tij, kamata krijohet nga shitja e parave si “mall”. Ndërsa, nga shitblerja e një malli të cilin institucioni (në këtë rast “TIMI Invest”) e blen me çmimin e shumicës, kur ky produkt shitet me pakicë, me një çmim më të lartë, krijohet fitimi. Ky financim quhet kreditim pa kamatë.
Fondi i këtij institucioni është privat dhe vendor. Shpenzimet e institucionit mbulohen nga shitblerja e mallrave të ndryshme në treg. Diferenca, e cila krijohet nga çmimi i shumicës me çmimin e pakicës, është fitimi i këtij institucioni, shpjegon Kahrimani.
Institucioni i tretë, “Pro Finance Home”, është institucion financiar jobankar në Kosovë, i cili është licencuar nga BQK-ja në vitin 2018, me kapital privat nga Kosova dhe ofron produkte dhe shërbime financiare për qytetarët, pa dallim përkatësie racore, etnike, fetare, politike, etj., thuhet në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i monitoron të gjitha institucionet financiare që janë të licencuara.
Dy institucione mikrofinanciare nuk u japin para të gatshme klientëve, por bëjnë pagesën direkt te xhirollogaria e shitësit për produktin e blerë nga klienti. Për një produkt, për shembull, me çmim prej 1,000 eurosh për një vit, klienti duhet të paguajë 80 deri në 90 euro më shumë, apo 8-9% të shumës.
Islam Hasani, profesor në Kolegjin ELSG, njëherësh autor i librit “Ekonomia dhe Bankimi Islam”, i botuar në vitin 2013, thotë se bankat islame punojnë pa kamatë, por nuk punojnë pa fitim. Këto institucione, sipas tij, kanë forma të tjera të fitimit.
“Bëjnë një fitim, por fitimi është i paracaktuar në përqindje të ndarjes së fitimit, por jo i paracaktuar paraprakisht si formë interesi”, thekson Hasani.
Si e rregullon ligji bankimin islam në Kosovë?
Financimi islam ose veprimtaria bankare islame është e përcaktuar me dispozita ligjore në Kosovë. Në njërin nga paragrafët e Ligjit për Bankat, Institucionet Mikrofinnaciare dhe Institucionet Financiare Jobankare thuhet se “financimi islam ose veprimtaria bankare islame realizohet me pëlqim të BQK-së dhe, sipas këtyre kushteve dhe në pajtueshmëri me rregulloret që mund të përcaktohen nga BQK-ja, mund të autorizohen për t’u angazhuar edhe në veprimtarinë bankare islame”.
“Përveç kësaj dispozite, BQK-ja nuk na nxjerr ndonjë instrument tjetër rregullator, që e rregullon veprimtarinë financiare sipas rregullave islame”, thuhet në përgjigje të BQK-së.
Në këtë ligj po ashtu thuhet se banka islame është lloj banke që kryen veprimtari bankare sipas parmeve të Sheriatit [v.j. ligjit islamik] dhe duke iu nënshtruar parimeve të këtij ligji dhe rregulloreve të nxjerra nga BQK-ja. “Pika e shërbimit islam bankar” i referohet një departamenti ose divizioni të një banke joislame, e cila ofron shërbime financiare sipas parimeve të Sheriatit.
Sheriati është një kod ligjor, që bazohet në Kuran dhe shkrime të tjera islame.
A duhet të operojnë këto institucione në Kosovë?
Ligji i Sheriatit është kundër kamatës, sepse, sipas pikëpamjeve fetare islame, kamata konsiderohet e ndaluar (haram), por nuk është kundër fitimit, thotë Ismail Hasani, sociolog i religjionit.
Ai shton se në vendet ku Sheriati është Ligj Suprem, është e natyrshme që institucionet të operojnë në këtë mënyrë, por Kosova, në bazë të Kushtetutës, është shtet laik.
“Të jetonim në një shtet në të cilin operon Sheriati, përgjigjja do të ishte shumë e qartë dhe nuk do të kishte asnjë dilemë që është e drejtë legjitime e këtyre institucioneve që të operojnë në bazë të Ligjit të Sheriatit. Por, meqë jetojmë në një shtet laik dhe sistemi bankar është i konsoliduar, këtu ka etnitete komerciale të licencuara nga BQK-ja, atëherë është e çuditshme se si bankat e tilla, të cilat në shumicën e rasteve janë fantome, mund të operojnë”, thotë Hasani.
Në anën tjeter, Hashim Rexhepi, profesor në kolegjin privat UBT, thotë se Banka Qendrore e Republikës se Kosovës duhet gjithsesi të krijojë dispozita ligjore për operimin e institucioneve jobankare, me parimin islam.
Rexhepi, i cili ka qenë edhe ish-guvernator në BQK, thotë se bankimi islam i ka specifikat e veta dhe rregullohet ndryshe nga bankimi tradicional apo kontinental.
“Bankimi islam duhet të rregullohet me dispozita të veçanta. Pastaj, duhet të aftësohet stafi mbikëqyrës i BQK-së që të mund të mbikëqyrë funksionimin e bankimit islam. Përderisa nuk ka rregullore apo dispozita në ligj, atëherë është e pamundur të funksionohet me parimet e bankimit islam në Kosovë”, thotë Rexhepi.
Në Kosovë funksionon edhe Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare (AMIK). Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë thuhet se në rrjetin AMIK, nuk është anëtar asnjë institucion mikrofinanciar që brendohet si “mikrofinancë islame”./REL/