Armend Agolli kandidat i LDK-së për kryetar të Mitrovicës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka zyrtarizuar Armend Agollin si kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Armend Agolli përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se e ka pranuar propozimin e partisë.

“Me kënaqësi dhe plot vullnet po i përgjigjem thirrjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kandiduar për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, si dhe për t’i prirë listës garuese të kandidatëve të saj për Kuvendin Komunal të qytetit tim të lindjes. Ndjehem thellësisht i nderuar dhe i privilegjuar për këtë besim që më është dhënë”.

Tutje Agolli ka shkruajtur se edhe pse mjekësia është fusha e tij, politika ka qenë dhe do mbetet pjesë e pandashme e përditshmëris së tij.

“Edhe pse mjekësia është thirrja ime jetësore, dhe asaj ia kam kushtuar gjithë potencialin tim shkencor, rrethanat komplekse politike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë deri më tani sigurisht se nuk kanë mundur të më anashkalojnë as mua. Përkundrazi, ato mbase kanë ndikuar shumë në përfshirjen time aktive në ngjarje e procese të ndryshme politike, por edhe në formimin tim politik. Rrjedhimisht, politika ishte dhe mbetet pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e përditshmërisë sime”.

“Nga ana tjetër, përvojat dhe njohuritë (jo vetëm mjekësore) të fituara gjatë rrugëtimit tim profesional në Evropë i kam vënë, pa asnjë hezitim e kursim, në shërbim të trimave në kohë lufte dhe të pacientëve në kohë paqeje. Po këto njohuri, bashkë me potencialin tim intelektual e njerëzor, tani jam i gatshëm t’i vë në shërbim të ndërtimit, të zhvillimit dhe të mirëqenies së qëndrueshme të qytetarëve të qytetit tim të lindjes – Mitrovicës”.

“Edhe pse ky nuk ka qenë rasti deri më tani, unë sinqerisht vazhdoj të besoj se politika e udhëhequr mirë dhe ndershëm mund të bëjë shumë në arritjen e zhvillimit të synuar ekonomik, por edhe në avancimin e mirëqenies, arsimit dhe shëndetësisë së një vendi”.

“Prandaj edhe e pranova – pa asnjë hezitim – mundësinë e dhënë për t’i ndihmuar vendlindjes sime në realizimin e këtyre sfidave”.

“Përndryshe, jam rritur dhe edukuar mbi parimet tradicionale shqiptare, por edhe religjioze, sipas të cilave s’mund të flas e as të premtoj gjëra që s’mund t’i arrijë”.

Me punën time dhe ndihmën tuaj, besoj se do të arrijmë shumë.

Zoti qoftë me ne dhe na priftë e mbara!”, ka shkruajtur Agolli.