Prokuroria sot vendos për shoferin e autobusit të aksidentuar në Kroaci

Shoferi i autobusit, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë të dielën, do të dalë sot gjatë ditës para Prokurorisë ku pritet të vendoset për masën e paraburgimit.

Ai gjatë ditës së djeshme është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Kroaci.

I njëjti është mbrojtur në heshtje, derisa i është caktuar një avokat mbrojtës, sipas detyrës zyrtare.

Pasi është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit ai është kthyer në mbajtje, shkruan Klankosova.tv.

Dyshohet se ky aksident tragjik është shkaktuar pasi shoferin e ka zënë gjumi për një moment dhe më pas autobusi ka dalë jashtë autostradës.

Shoferi 52 vjeçar i autobusit mund të dënohet deri në 15 vjet burgim për veprën penale të ”shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në komunikacion”.

10 persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin e autobusit i cili po vinte nga Gjermania për në Kosovë.