Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj, bëri të ditur se 17 mërgimtarët që u lënduan nga aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e djeshëm, në Slavonski Brod, do të lirohen sot nga spitali.
Ajo tha se ka kontaktuar në telefon me ta sot në mëngjes, për të mësuar më shumë për gjendjen e tyre shëndetësore.
Lekaj-Përlaskaj gjithashtu theksoi se një nga të lënduarit po trajtohet në Zagreb, kurse një tjetër në Nova Gradishkë.
Ajo tha për KlanKosovën se 15 nga udhëtarët e autobusit, të cilët kanë shpëtuar pa lëndime në këtë aksident, ndodhen në një hotel atje.
Dhjetë kosovarë që u nisën nga Frankfurti për në Kosovë, ndërruan jetë dhe 45 të tjerë u lënduan, pasi që autobusi me të cilin po udhëtonin humbi kontrollin dhe doli jashtë rrugës, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 06:00, në Slavonski Brod të Kroacisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvallën dhe disa ministrat udhëtoi dje për në Kroaci, ku vizitoi të lënduarit dhe të mbijetuarit e këtij aksidenti.
Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e sotme ditë zie, për nderë të dhjetë viktimave dhe sot pritet të kthehet nga Japonia, ku ishte duke qëndruar për të përcjellë Lojërat Olimpike.