Një ngjarje e rëndë ka goditur sot Kosovën. Një autobus me bashkëatdhetarë të cilët ishin nisur nga Gjermania për në Kosovë për pushime është aksidentuar sot në autostratën A3 në ‘Slavonksi Brod’ të Kroacisë ku kanë humbur jetën 10 persona, ndërsa janë lënduar edhe 45 – prej tyre, 15 në gjendje të rëndë shëndetësore, shkruan Gazeta Metro.
Sipas raportimeve më të fundit, dyshohet se aksidenti është shkaktuar pasi shoferin e autobusit e kishte zënë gjumi. Së paku kështu ka thënë zëvendësprokurori komunal Slavko Pranjiq.
“Sipas fakteve të vërtetuara deri tani, ka të bëjë me daljen e autobusit në anën jugore të rrugës. Autobusi po udhëtonte nga Frankfurti për në Prishtinë, është kompania ‘Deva Tours’ me seli në Prishtinë. Shoferi i autobusit u gjet në vendngjarje ku edhe u arrestua. Një hetim është kryer, veprime tjera janë marrë për të filluar procedura penale. Deri më tash, kemi informacion se ka 10 persona të vrarë dhe 23 të plagosur rëndë ose lehtë. Shoferi u arrestua me dyshimin për drejtimin e një automjeti në mënyrë të papërshtatshme. Nuk mund të flasim për shkaqet e daljes nga rruga. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do të përcaktojmë të gjitha ato me kohë”, ka thënë Pranjiq.
Aksidenti tragjik ka ndodhur sot rreth orës 06:20 të mëngjesit në autostratën A3 në ‘Slavonski Brod’ në Kroaci, ndërsa, sipas raportimeve të autoriteteve shëndetësore atje, në ora 06:23 kanë pranuar thirrjen, ndërsa 5 minuta më vonë kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Në autobusin i cili kishte një linjë të rregullt Frankfurt – Prishtinë ishin saktësisht 69 udhëtarë shtetas të Kosovës, 10 prej tyre mbetën të vdekur në vend, ndërsa 45 u lënduan dhe po trajtohen në spitalin kroat derisa 15 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Nga vendi i ngjarjes folën autoritetet e sigurisë së Kroacisë të cilat e përshkruajtën aksidentin si shumë të rëndë. Polici i cili ishte në vendngjarje në momentet e para të aksidentit i shokuar tha se ky ishte ndër aksidentet më të rënda që ka parë.
“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është ndër aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve”, tha ai.
Mediat kroate të cilat tashmë kishin dalë në vendngjarje dhe në kohë reale raportonin për situatën atje, e përshkruanin ngjarjen si tragjike dhe shumë të rëndë. Madje, këto media tregonin se si të vdekurit janë të shtrirë në tokë dhe po shohin skena të tmerrshme nga ky aksident. https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=4197-2&gjid=80626139&v=2.1&guid=490102eb7b59481f870d92fe013b9a2ec989f2efb1d743319fb0ebd712fd856d
Pas raportimeve në media dhe identifkimit se autobusi i aksidentuar ishte i agjencisë turistike ‘Deva Tours’ këta të fundit reaguan për media duke konfirmuar, pa dhënë detaje lidhur me këtë rast.
“Nuk kemi informata më të sakta diçka. Nëse ka mundësi të keni konsideratë sepse as ne ende nuk dimë asgjë saktë. Po rasti ka ndodhur, por për numrin e të vdekurve nuk kemi informata”, ka thënë përgjegjësi i kësaj kompanie për mediat sot në mëngjes.
Nuk vonoi shumë, reagim pati edhe nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic tha se qëndron pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Kosovës duke treguar se autoritetet kroate po merren me rastin me të gjitha kapacitetet.
“Me trishtim të madh morëm lajmin për aksidentin e një aksidenti në afërsi të Brod-it, ku humbën jetën 10 persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës dhe njerëzit të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thellë. Shpresojmë që pasagjerët e lënduar të shërohen. Për shkak të aksidentit të tmerrshëm, unë fola me ministrin e Brendshëm Davor bozinoviq dhe ministrin e Shëndetësisë, Vilja Berosh. Ata tashmë janë nisur drejt vendit të ngjarjes për t’u njohur me të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për të ofruar kujdes shëndetësorë për të gjithë pasagjerë te plagosur”, tha ai.
Reagimi erdhi edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci ishin nisur tashmë për në vendin e ngjarjes.
Mesazhe ngushëllimi dhe solidarizimi pati edhe nga të gjithë krerët e partive politike në Kosovë dhe krerët e institucioneve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shteti i Kosovës do të jetë pranë familjeve të viktimave dhe pranë të lënduarve në aksidentin tragjik në Kroaci.
“Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, shkroi Osmani.
Gjithashtu reagim pati edhe nga kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca i cili u shpreh se bashkëndjen me familjet e të aksidentuarve dhe u lut për sa më pak viktima në këtë aksident.
Edhe krerët e partive politike, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të tjerë shprehën ngushëllime dhe bashkëndjenë më familjet e viktimave dhe me të lënduarit.
Lidhur me aksidentin, në konferenca të përbashkët për media dolën ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Vili Beros mjekë dhe Shefi i Mbrojtjes Civile, Damir Trut dhe doktoresha Maja Grba Bujevic.
Beros tha informacione për numrin e personave në autobus dhe gjendjen e të lënduarve, duke treguar gjithashtu se kishte edhe fëmijë në autobus.
“69 persona, 67 pasagjerë dhe 2 shoferë u përfshin në aksident”, tha Beros, duke shtuar se 15 të tjerë janë lënduar rëndë. Kishte edhe të mitur në aksident, një vajzë është e lënduar rëndë”, tha gjithashtu ai.
Fjalën e mori edhe Maja Grba Bujevic, duke thënë se ishin përfshirë 6 ekipe të ndihmës së shpejtë.
“Në 6:23 morëm një telefonatë, në 6:256 u nisëm”, tha Bujevic. Katër ose pesë minuta më vonë, tha ajo, stafi i ambulancës ishte në vend ngjarje.
“Dy persona janë në kujdes intensiv, 15 janë të plagosur rëndë. Ne patëm tre operacione dhe kjo nuk e përjashton mundësinë e operacioneve të reja. Të gjithë pacientët kishin kujdese sipas rregullave”, tha ajo.
Damir Trut tha se të gjitha shërbimet bënë punë të mirë.
“Kjo nuk ndodh shpesh. Gjatë historisë, ne kemi pasur disa aksidente të tilla, kryesisht autobusë të huaj. Disa vjet më parë, kishte një autobus sllovak afër Gospic”, tha Trut.
Ai u pyet nëse aksidenti ishte shkaktuar nga lodhja.
“Nuk mund t’iu themi, sepse hetimi po vazhdon, hetuesit do t’iu tregojnë gjithçka pastaj. Shumica dërrmuese e udhëtarëve janë shtetas të Kosovës”, tha Trut. https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=4197-2&gjid=97898956&v=2.1&guid=490102eb7b59481f870d92fe013b9a2ec989f2efb1d743319fb0ebd712fd856d
Në vendngjarje e në spital shkoi edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli. Ai në mes të lotëve foli para mediave duke konfirmuar se të gjithë personat në autobus janë nga Kosova dhe po vinin për pushimë.
“Fatkeqësisht kemi ardhur për shkak të një aksidenti të tmerrshëm. Unë thjesht do të doja ta falënderoja Qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe të gjithë autoritetet që na ndihmuan në këtë kohë. Unë vetëm mund të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe t’u kërkoj atyre që të kenë mirëkuptim edhe për ne. Ne të gjithë do të jemi pranë tyre në këto kohë të vështira. Këta janë të gjithë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani dhe që po vinin për pushime në Kosovë”, tha Kasapolli. https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=4197-2&gjid=22003652&v=2.1&guid=490102eb7b59481f870d92fe013b9a2ec989f2efb1d743319fb0ebd712fd856d
Gjithashtu, Kasapolli më vonë në një lidhje direkte për mediat në Kosovë njoftoi se kanë qenë rreth 13 fëmijë në autobus dhe asnjëri prej tyre nuk është në listën e viktimave.
Udhëheqësit e institucioneve kroate qëndruan pranë Kosovës sot. Ministri i Punëve të Brendshme i Kroacisë Davor Bozinoviq tha gjatë ditës sot se do t’i mbajë të informuar ministrat e Kosovës lidhur me ngjarjen në detaje zhvillim pas zhvillimi.
Autoritetet e Kosovës gjithashtu pranuan telefonatë edhe nga ministri i Jashtëm i Krocisë, ndërsa kryministri Kurti u telefonua nga kryeministri kroat, Andrej Plenkovic i cili i shprehi ngushëllime dhe i konfirmoi gatishmërinë e autoriteteve kroate për t’u marrë me rastin.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njoftoi se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, thuhej në komunikatën e MPJD.
Ndërkohë, në Kosovë është vendosur se do të shpallet ditë zie në kujtim të viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci që tronditi sot Kosovën. Kështu kanë deklaruar nga presidenca e Kosovës për Gazeta Metro.
“Presidentja Osmani do të shpallë dite zie. Për ditën e saktë do të njoftoheni së shpejti.”, tha Kupina për Metron.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti më një pjesë të kabinetit të tij është nisur për në Kroaci në vendin ku ka ndodhur aksidenti i cili la të vdekur të paktën 10 shtetas të Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Në anën tjetër, edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz tha se po punohet nga mëngjesi për zbardhjen totale të rastit dhe shkaqet që kanë dërguar deri në këtë aksident tragjik.
Ndërkohë, është publikuar gjithashtu edhe numri kontaktues për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth gjendjes së familjarëve të tyre të aksidentuar në Kroaci.
+383 (0) 38 200 76 000, është numri në të cilin mund të kontaktojnë gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës dhe gjendjes së të aksidentuarve në Kroaci.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë derisa ka publikuar këtë numër ka thënë se janë pranë familjarëve të viktimave dhe të të lënduarve.
“Ministria e Punëve të Brendshme me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për aksidentin tragjik të bashkatdhetarëve tanë në Kroaci. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjarët e të vdekurve në këtë aksident, njëkohësisht iu urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Jemi pranë tyre për të kaluar këto momente të vështira. Me këtë rast, ju njoftojmë që Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe me gjithë aktorët tjerë janë të angazhuar në menaxhimin sa më të efektiv të situatës dhe koordinimin e gjithë veprimeve për të lehtësuar gjithë të prekurit në këto momente të vështira. Si Ministri, jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet Kroate të cilët shfrytëzojmë rastin ti falënderojmë për ndihmën e dhënë në menaxhimin e situatës së krijuar. Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Ndërkohë, ajo që nuk dihet tani për tani është se cila është gjendja aktuale e të lënduarve rëndë në aksidentin tragjik në ‘Slavonski Brod’, derisa lutjet e të gjithëve janë me familjet e viktimave dhe për shërimin sa më të shpejtë të të gjithë të lënduarve.