Reshjet e shiut të shtunën dhe të dielën, shkaktuan telashe në disa qytete të Kosovës, duke përfshirë bllokim të rrugëve e dëme nëpër shtëpi private e lokale afariste nga depërtimi i ujit.
Gjatë ditës së djeshme, kryeqyteti u përball me një stuhi shiu dhe ere që vërshoi disa lagje të kryeqytetit e po ashtu edhe sheshet.
Komuna e Prishtinës tha se gjendja është nën kontroll, dhe se ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publik kanë dalë në terren, shkruan Telegrafi.
Mati 1, Tophanja, Dodona dhe Qendra ishin lagjet të cilat u preken më shumë nga stuhia që ndodhi dje.
Pas kësaj situate FSK ngriti gjendjen e gatishmërisë të njësive të saja të para reaguese në rast të nevojës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se FSK është e gatshme që të kryejë detyrat e mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe lokale për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.
Stuhi pati edhe në Vushtrri ku si pasojë kulmi i shkollës “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Zhilivod u dëmtua krejtësisht. Me situatë të ngjashme janë përballur edhe disa qytete në rajonin e Dukagjinit.
Në komunën e Gjilanit të shtunën një familje u evakuua nga shtëpia e tyre pas rrezikut nga reshjet.
Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, komuna ka bërë intervenim në 25 raste të ndryshme nga 52 thirrje që kanë pranuar institucionet komunale të emergjencave.
Edhe Komuna e Skenderajt pati shira të dendur dhe breshër gjatë ditës së shtunë.
Pas reshjeve ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, ku ka bërë të ditur se është duke përcjellë me vëmendje situatën në terren pas vërshimeve të fundit dhe ka ngritur nivelin e gatishmërisë. Po ashtu është bërë e ditur se nuk ka kërkesa për ndihmë nga komunat, por gjithsesi Qeveria ka bërë të ditur se do u përgjigjet kërkesave të qytetarëve në rast nevoje.
“Përkundër faktit që deri më tash nuk ka kërkesa nga komunat, niveli qendror është në gjendje gatishmërie që tu përgjigjet kërkesave të qytetarëve. Për këtë, Ministria e Punëve të Brendshme do të koordinojë dhe bashkëpunojë edhe me FSK-në të cilët kanë mobilizuar ekipet e tyre për reagim, andaj, apelojmë tek komunat që të adresojnë kërkesat dhe nevojën për ndihmë dhe në të njejtën kohë apelojmë tek qytetarët, që për të evituar rreziqet të bashkëpunojnë duke ndërmarrë hapat si në vijim:
Informimin mund ta bëni në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido qoftë vend apo pozitë në Republikën e Kosovës).
Gjithashtu mund të thirrni edhe në këta numra: Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit në numrin e telefonit 193, Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192, dhe Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.
Ndërkohë rreth 200 persona llogariten të kenë vdekur nga përmbytjet që kanë ndodhur ditëve të fundit në disa vende të Evropës duke përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, Luksemburgun, Zvicrën, Austrinë dhe Republikën Çeke.