Kushëriri i Lionel Messi, Maxi Biancucchi, e ka pranuar se atij do t’i pëlqente ta shihte gjashtë-herë fituesin e Topit të Artë në një klub tjetër përveç Barcelonës, për t’ua dëshmuar të gjithëve se argjentinasi mund të luajë në po të njëjtën mënyrë kudo.
Kapiteni argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si profesionist te klubi katalonas, përderisa ka lënë të kuptohet disa herë se mund të vendosë edhe të pensionohet në Camp Nou, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Barcelona ka qenë e goditur nga disa skandale gjatë kohës së fundit, si zënkat mes drejtorëve, dhe kjo e ka vënë në pah kontratën e Messit që ia lejon argjentinasit të largohet nga Barcelona çdo verë pa asnjë cent, edhe pa dëshirën e klubit katalonas.
Për më tepër, kontrata e tij, e rinovuar për herë të fundit më 25 nëntor të vitit 2017, është e vlefshme deri më qershor të vitit të ardhmen dhe kjo e ka lejuar kushëririn e Messit të ëndërrojë ta shohë atë jashtë Barcelonës.
“E vërteta është se kjo është diçka shumë personale, askush nuk mund ta di se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Biancucchi, në një intervistë të dhënë për FootballNeës24.
“Personalisht, mua do të më pëlqente ta shihja atë duke luajtur për një skuadër tjetër dhe të njëjtën gjë do ta donin edhe shumë tifozë të tij, në mënyrë që ai ta dëshmojë veten atyre që thonë se Messi është i mirë vetëm për Barcelonën…. ata e kanë gabim”.
“E vërteta se gjenitë si ai mund të luajnë kudo. Por, sinqerisht, nuk e shoh atë në Itali. Çfarëdo mendimi im do të nxitë dyshime, por, siç kam thënë edhe më herët, ky vendim i takon vetëm atij”,
“Ëndrra ime, që të jem i sinqertë, është ta shoh atë duke e veshur fanellën e Newell’s Old Boys”.
Messi kishte luajtur për klubin argjentinas Old Boys para se t’i bashkohej akademisë së Barcelonës në Spanjë.