Në 24 orët e fundit më simptoma të njëjta të helmimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare kanë kërkuar trajtim mjekësor 310 pacientë, ndërsa që nga mëngjesi e deri në mesditë mjekim kanë kërkuar 55 qytetarë të kësaj komune.
Kështu ka bëtë të ditur në një konferencë për medie drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Deçanit, Selmon Berisha i cili tha se që nga e shtuna e deri më sot me simptoma të helmimit trajtim kanë kërkuar 1 mijë e 62 paciente.
“Në 24 orët e fundit janë gjithsej 310 pacientë me simptomatologji të njëjtë siç kanë qenë ditëve përpara, ndërsa që nga data 10 deri me 14 janë gjithsej 1 mijë e 62 pacientë. Prej orës 07:00 deri në 11:00 janë 55 pacientë”, tha Berisha.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme në komunën e Deçanit kanë qenë përfaqësues të lartë shtetëror duke filluar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Rastet e para me simptoma të helmimit janë regjistruar të shtunën e kaluar.
Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të Ujësjellësit “Hidrodrini”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se tashmë ka nisur testimin e mostrave të ujit, të marrë nga kjo komunë, por shkaku i helmimit nuk është përcaktuar ende.
Më 13 korrik, autoritetet lokale shpallën gjendje emergjente në Deçan, për shkak të helmimit masiv të banorëve të kësaj komune.
Po të njëjtën ditë, Ujësjellësi “Hidrodrini”, njoftoi qytetarët që furnizohen me ujë nga ky ujësjellës rajonal, se uji ishte i sigurt.
“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit janë shqetësim i lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, tha përmes një komunikate për media ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.
“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.
Institucionet gjegjëse, ndërkaq, kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit. /Telegrafi/