Kryeziu: Shpenzimet e Kurtit mbulohen nga Greqia, bashkëshortja e tij është paneliste

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka thënë se janë duke bërë gjithçka që kanë në dorë për t’iu dalë në ndihmë të dyshuarve të helmuar në Deçan.

Për këtë ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti është në vizitë zyrtare që nga data 8 korrik në Athinë dhe se për situatën aktuale ka komunikuar me institucionet përgjegjëse në vend, njofton Klan Kosova.

“Kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj. Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje”, ka shkruar Kryeziu.

Gjithashtu, Kryeziu ka thënë se pjesëmarrja e Kurtit në dy konferenca është tejet e rëndësishme dhe ka njoftuar se ai është takuar edhe me homologun e tij grek, Mitsotakis.

“Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota”.

Kryeziu ka shkruar se Kurti kishte marrë pjesë në të njëjtat konferenca edhe viteve të kaluara. Po ashtu, ai ka thënë se bashkëshortja e kryeministrit po merr pjesë edhe si paneliste.

“Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI. Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori”.