Kosova pa aplikacion për çmimet e derivateve të naftës

Një aplikacion në bazë të të cilit qytetarët e Kosovës do të kishin mundësi t’i shihnin çmimet e derivateve në baza ditore është duke u kërkuar të bëhet edhe në vendin tonë me qëllim të transparencës së çmimeve dhe lehtësimit të qytetarëve sa i përket anës financiare.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se është domosdoshme që Kosova ta ketë një aplikacion apo uebfaqe ku qytetarët çdo mëngjes mund të informoheshin se si sillen çmimet e derivateve në Kosovë. Një aplikacion i tillë është kërkuar edhe nga kryetari i OJQ “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Pëllumb Çollaku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se krijimi i oligopolit në tregun e naftës vazhdon të jetë problem për shkak të koncentrimit të konsumatorëve në pika të caktuara derivatesh

Përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, të konsumatorëve dhe ekspertë të ekonomisë, kanë kërkuar që në Kosovë të krijohet një aplikacion në bazë të të cilit qytetarët e Kosovës çdo ditë mund t’i shihnin dhe t’i krahasonin çmimet e derivateve. Edhe pse në pikat e karburanteve janë të vendosura çmimet e derivateve të naftës, me anë të krijimit të një aplikacioni qytetarët do të mund të informoheshin nga kudo në lidhje me lëvizjet çmimeve. Sipas tyre, një gjë e tillë do të ndikonte në të mirë të konsumatorëve, duke përfshirë anën financiare dhe transparencën e çmimeve.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është domosdoshme që Kosova ta ketë një aplikacion apo uebfaqe ku qytetarët e Kosovës do të mund të informoheshin çdo mëngjes sa janë çmimet e derivateve. “Besoj se është kërkesë reale dhe kjo duhet të bëhet në ditët në vijim. Shpresoj që Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do ta realizojë edhe këtë, ku çdo mëngjes qytetarët do ta dinë përafërsisht se si sillën çmimet e derivateve në Kosovë”, ka thënë Berjani. Sipas tij, edhe pse në tërë Kosovën janë të vendosura çmimoret pranë pikave të karburanteve, një aplikacion i tillë është më se i domosdoshëm. “Do të duhej ta kemi një program special. Në tërë Kosovën janë të montuara në mënyrë automatike çmimoret, që do të thotë se qytetarët mund t’i shohin çmimet qoftë kalimthi apo kur të ndalen. Megjithëkëtë, një program special apo aplikacion siç është në të gjitha vendet e botës është i nevojshëm”, ka deklaruar ai.