Kryeministrja e Zelandës së Re dhe ministrat ulin pagat për 20%

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka vendosur që së bashku me ministrat e kabinetit të ulin pagat e tyre për 20 për qind për gjashtë muajt e ardhshëm, për t’u solidarizuar me personat e prekur nga pandemia e COVID-19, në vendin ku numri i vdekjeve është duke u rritur, shkruan The Guardian.

Ardern tha se është e rëndësishme që politikanët më të paguar të qeverisë të tregojnë “lidership dhe solidaritet” me punonjësit që janë në vijën e parë të frontit dhe atyre që kanë humbur më të dashurit, transmeton Telegrafi.

Ardern, ministrat dhe drejtorët e kompanive të shërbimeve publike do ulin pagat e tyre për  20 për qind për gjashtë muajt e ardhshëm. Kjo do t’ia zvogëlojë pagën kryeministres në 47.104 dollarë, derisa ministrat do ta kenë 26.900 e zëvendëskryeministri Winston do të marrë 33.473 dollarë.

Dr Ashley Bloomfield, drejtoreshë e përgjithshme e sistemit shëndetësor që trajtoi krizën e COVID-19, ka konfirmuar se do të heq dorë nga një përqindje e pagës – pra do t’ia zvogëlojë vetës pagën.

“Nëse ndonjëherë kemi pasur rastin të mbyllin zbrazëtirën mes grupeve në Zelandë të Re, tani është koha. Unë marr përgjegjësinë për ministrat dhe drejtorët e shërbimeve publike. Ka të bëjë me solidaritetin, në kohën kur për këtë ka nevojë Zelanda e Re”, ka deklaruar Ardern.

Kujtojmë që Zelanda e Re ka qenë në izolim total për tre javë, që do të thotë se askush nuk është lejuar të dalë nga shtëpia përveç nëse kanë pasur nevoja specifike. Numri i të infektuarve me COVID-19 në këtë vend ka shkuar në 1.300 dhe 9 tjerë kanë humbur jetën.