Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së sotme ka shkarkuar Bordin e RTK-së. Pas këtij votimi, i menjëhershëm ka qenë reagimi i këtij bordi.
Në reagim thuhet se ky veprim është politik, antiligjor dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.
“Ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave”, thuhet tutje në reagim.
Bordi i RTK-së deklaron se arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e tij nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik.
Sipas tyre, bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave.
Po ashtu, në reagim thuhet se Bordi i RTK-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar dhe i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare, të cilat merren me mbrojtjen e lirisë së mediave, që të reagojnë ndaj këtij vendimi “politik dhe arbitrar” të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës.