Mikrobiologu Lul Raka në një postim në Facebook ka dhënë detaje për variantin Delta të koronavirusit, duke paralajmëruar për rreziqet që vijnë nga ky variant, teksa ka bërë thirrje edhe një herë për vaksinim.
Varianti i zbuluar në Indi në fund të vitit të shkuar tashmë është raportuar në afro 100 shtete të botës dhe është bërë dominues në disa prej vendeve më të mëdha.
Në fund të qershorit, edhe në Kosovë u konfirmuan dy raste të këtij varianti.
Raka ka thënë se ai shpërndahet më lehtë se variantet tjera, por ka thënë se përballja më e mirë me të është vaksinimi.
“Rezultatet nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë që varianti Delta është 55% më i transmetueshëm se sa varianti Alfa (varianti britanik). Por, rritja e rasteve në Britani nuk është përcjellë me rritjen e hospitalizimeve dhe vdekjeve, pikërisht për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit. Në Qershor shkalla e hospitalizimit ishte 2 persona të hospitalizuar në 100.000 banorë. Gjatë valës paraprake në dimër me variantin britanik, kjo shifër ishte 36 pacientë në 100.000 banorë”, ka thënë ai.
Të pavaksinuarit janë më të prekurit nga ky variant, ka thënë Raka.
“A veprojnë vaksinat kundër këtij varianti?” ka qenë pyetja tjetër për të cilën Raka ka dhënë sqarime.
“Po. Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë. Te varianti Alfa këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë. Kurse efikasiteti i vaksinës kundër infeksionit simptomatik me variantin Delta është 31% pas dozës së parë dhe 60-80% pas të dytës.”
Raka ka thënë se ekziston mundësia që të ketë valë të reja për shkak të variantit që prek më së shumti të rinjtë dhe personat e moshës mes 25 dhe 49-vjeçare.
Ai ka thënë se varianti mund të shkaktojë valë të re edhe në Kosovë, por ka shtuar se “intensiteti i shfaqjes së rasteve të reja do të varet drejtpërdrejtë nga vaksinimi, i cili ndikon edhe në vdekshmëri edhe në hospitalizim”.
“Vaksinimi masiv luan rolin kryesor që rastet e infektimit të mbahen në nivele të menaxhueshme. Çka duhet të bëjmë për ta parandaluar sëmundjen? VAKSINOHU MENJËHERË!” ka qenë porosia e e tij.
“Vaksinimi i plotë i të gjitha grupeve të rrezikuara duhet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur për të zvogëluar rrezikun e hospitalizmit dhe vdekjeve. Për ata që e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, rekomandohet që sa më shpejt ta marrin dozën e dytë të vaksinës”, ka thënë më tej mikrobiologu.
Sipas tij, vaksinat që tashmë janë në Kosovë, “AstraZeneca” dhe “Pfizer” janë të sigurta dhe s’duhet të ketë frikë nga qytetarët.
“Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan. Mos rrezikoni jetën Tuaj dhe të afërmve me teori konspirative e dezinformata për vaksinat dhe afatin e skadimit nga askush. Cilën vaksinë duhet ta marrim? Cilëndo që e keni në dispozicion: Astra-Zeneca ose Pfizer. Të dyja janë të sigurta dhe shpëtojnë jetë!” është shprehur Raka.
Nëse qytetarët hezitojnë të vaksinohen, sipas Rakës, rrezikohet rritja e rasteve dhe “ mund të na përsëritet historia me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturës, artit e sportit!”
“VAKSINA SHPËTON JETË! VAKSINA PARANDALON VDEKJEN DHE HOSPITALIZIMIN; NA KTHEN NË PUNË, SHKOLLË, TEATËR, STADIUM E DASMË. PRANDAJ, VAKSINOHU, MOS MENDO DY HERË!” ka përfunduar shkrimin ai.
Në Kosovë, deri tash janë dhenë 236 mijë doza të këtyre dy vaksinave. Rreth 58 mijë qytetarë kanë marrë nga dy doza.
Javën e shkuar vendi mori rreth 360 mijë vaksina, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”. “Pfizer” u ble, ndërsa “AstraZeneca” u dhurua nga Norvegjia.