Në qytetin e Vushtrrisë, një lagje e tërë ka filluar të transformohet. E shtrirë pjesërisht në rrafshinën e Novosellës, nga ku shihen kodrat e Gorelakut në largësi, kësaj zone po i bëhet zgjidhje njëherë e mirë me furnizimi të energjisë elektrike. Rrjeti elektrik që dikur kalonte nëpër fusha e toka private, sot po bartet përskaj rrugës.
Në Bahri Kuç të Vushtrrisë, KEDS është në përfundim të investimeve në rrjetin elektrik, ku shtyllat e vjetra të drurit që dikur ishin vendosur nga vetë banorët, sot po zëvendësohen me shtylla krejt të reja të betonit e me kabllo që do të rrisin sigurinë e furnizimit dhe sigurinë në komunitet.
Linja e tensionit të ulët dhe atij të mesëm po bëhet e re, e për të përballuar kërkesën e furnizimit me energji atje është vendosur edhe një trafo.
Më parë, banorët e kësaj lagje ishin në hallë me energji jo kualitative ndërsa nga rreziku që i kanoste fëmijët e tyre për shkak të shtyllave, ata detyroheshin që fëmijët t’i dërgonin vetë në shkollë.
Një banor i këtij fshati, i cili në oborrin e tij ka edhe punëtori ku realizon punë të ndryshme, tregon se sa i rëndësishëm është për të një investim i tillë nga KEDS.
“Unë bëj punimin e pjesëve të ndryshme për makina bujqësore. Përpara kemi pas problem shumë me rrymë. Rryma u kon shumë e dobët e nganjëherë edhe pajisjet ndaleshin. Tash falë këtij investimi të KEDS, rrjeti qysh po e shoh po bohet i ri, një trafo na kanë vendos në fshat dhe nuk besoj që kena me pas ma problem”, tregon Sheremet Ademi.
Ndërkaq, Bajram Hyseni, tregon sesi ndër vite në këtë zonë është rritur me të madhe ndërtimi i shtëpive të reja, ndërsa investimet e KEDS i ka pritur me padurim.
“Unë kur jam dal këtu para 20 vite, kam qenë i fundit. Pas këtyre viteve, janë bërë me qindra shtëpi të reja. Kur patëm dal këtu, na si banorë vet e patëm pru rrymën e disa shtylla. Mirëpo më vonë janë shfaq problemet. Tash, KEDS ka bo një investim të jashtëzakonshëm, krejt janë përmirësu. Është duke u bo një punë aq e mirë sa po na duket pak e pabesueshme.”, përfundoi Hyseni.
Këto investime tregojnë përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë sa më afër konsumatorit.