Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka lavdëruar 100 ditëshin e punës së Qeverisë Kurti.
Sipas tij përgjatë këtyre 100 ditëve kjo qeveri ka dhënë sinjalet e para se është e përkushtuar në shtet të së drejtës, zhvillimit ekonomik e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
“Besoj se ishte një fillim i mirë, i mbarë dhe një lloj indikacioni për drejtimin e duhur që duhet të marrë shteti, 100 ditë nuk janë të mjaftueshme për të matur performancën e një qeverie sepse janë pak, por mjaftojnë për të kuptuar kahjen dhe vizionin. Besoj se në këto 100 ditë kemi performuar mjaftueshëm mirë për të treguar që si qeveri jemi të përkushtuar të sigurojmë një shtet të së drejtës, një kahje të re të orientuar kah zhvillimi ekonomik dhe kemi dhënë shembuj të mirë të luftimit të krimit dhe korrupsionit, të keqpërdorimeve dhe telasheve tjera që i kemi gjetur në ministri”, tha Çeku në Rubikon.
Çeku ka folur edhe për kritikat e opozitës për emërimet familjare e partiake në institucionet publike. Ai ka thënë se profesionalizmi i tyre është kriteri i vetëm për punësim, duke shtuar se në të kaluarën vendimtare ka qenë anëtarësia politike e dikujt.
“Besoj se kritika ishte më shumë e orientuar në atë që Vetëvendosje ka thënë sa ishte në opozitë dhe një lloj krahasimi pse këto dy standarde janë të njëjta sesa kritika që bëhet është domosdoshmërisht e saktë dhe e drejtë, në shumë raste emërimet kanë qenë plotësisht profesionale, por vetëm se një person ka pasur afërsi me Lëvizjen Vetëvendosje ose anëtarësi në Lëvizjen Vetëvendosje kjo automatikisht është klasifikuar si diçka e keqe. Te familjarët kanë qenë kryesisht raste të emërimeve nëpër kabinete, kanë qenë staf politik i ministrave dhe këtu përkundër një kritike që e ka pasur Vetëvendosje në të kaluarën, unë besoj se nuk ka asgjë të kundërligjshme në këto emërime përderisa këta individë janë profesionistë dhe i shërbejnë detyrës ku ata janë emëruar”, theksoi ai.
Në këtë kontekst, Çeku foli edhe për emërimin e aktivistes së Lëvizjes Vetëvendosje Shkurte Aliu në bordin e Teatrit Kombëtar, sipas tij Aliu nuk e morri këtë detyrë si aktiviste por si profesioniste e fushës.
“Edhe unë jam kritikuar për një rast specifik, për mua kriter ka qenë profesionalizmi i atij personi, por në fund përgjegjësinë e marr unë, nëse ai këshill drejtues nuk funksionon si duhet përgjegjësinë e marrë unë.”
“Shkurtja është aktiviste e Lëvizjes, ka qenë pjesë e komitetit për kulturë, është personi që edhe mua më së shumti më ka ushqyer me informacion për çështje teatrore dhe ka ndikuar më së shumti në programin tonë për qasje ndaj Teatri Kombëtar dhe teatrove tjera, është Shkurta e teatrit ajo e cila është emëruar aty, por e ka edhe një përkatësi partiake. Ky është emërim në bazën e mirëbesimit, domethënë është përgjegjësi që i lihet ministrit që në bazën e mirëbesimit t’i lihet ministrit të vendosë dhe unë kam vepruar në atë bazë duke besuar në profesionalizmin e zonjës Aliu”, shtoi Çekup