Leonardo Spinazzola do t’i nënshtrohet operimit gjatë ditës së sotme, por sipas mediumeve italiane, ai do të marrë pjesë në finalen e “Euro 2020” që do të luhet në “Wembley” nëse Italia e mposht Spanjën në ndeshjen gjysmëfinale.
Spinazzola pritet të qëndrojë jashtë fushës të paktën për gjashtë muaj pas lëndimit që e pësoi në çerekfinale kundër Belgjikës.
28-vjeçari do t’i nënshtrohet një operacioni në Finlandë të hënën dhe do të kthehet në Romë të martën kur skuadra e Roberto Mancinit do të përballet me Spanjën.
Spinazzola ishte një nga lojtarët më të mirë të Italisë në Evropian, duke u shpallur lojtari më i mirë në dy prej pesë ndeshjeve të italianëve në këtë turne.
Sipas të përditshmes “Gazzetta dello Sport”, Spinazzola pritet të marrë pjesë në finalen e “Euro 2020” në Londër, nëse Italia arrin të kualifikohet. Nëse Italia e mposht të martën mbrëma Spanjën në gjysmëfinale, atëherë Spinazzola së bashku me agjentin e tij, Davide Lippi do të marrin një aeroplan privat për të shkuar të dielën në Londër, për ta përcjellë nga afër Italinë në finale të Evropianit.