Këtë të hënë kancelarja gjermane Angela Merkel do të bisedojë për herë të fundit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, një nga nismat më të rëndësishme të saj të politikës së jashtme. Takimi do të mbahet në mënyrë virtuale.
“Edhe pse takimi do të bëhet vetëm me video, unë jam e gëzuar që do të mund të vijojmë bashkëpunimin me kryetarët e shteteve dhe qeverive nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia”, ka thënë Merkel në podcastin e saj të përjavshëm, këtë të shtunë në Berlin.
Merkel kujtoi më tej fillimet e procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania në vitin 2014: “Si atëherë, ashtu edhe sot qëllimi është të japë ndihmesa sa më konkrete për qëndrueshmërinë e rajonit dhe për dialogun paqësor mes të gjiha palëve”, vijoi më tej politikania kristiandemokrate.
Kancelarja gjermane rikujtoi përgjegjësinë e BE-së dhe të Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor:
“Ai është një pjesë e Evropës, ku nuk janë shëruar ende plagët e luftërave të viteve 90-të, e dhunës ndër grupet etnike. Por në Gjermani jetojnë edhe shumë shtetas, që i kanë rrënjët e tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor, kujtoi kancelarja më tej.
„Për mua është mëse e qartë ne, shtetet anëtare të BE-së, jemi shumë të interesuar për një zhvillim paqësor dhe të mirë të Ballkanit Perëndimor. Dhe ne kemi një përgjegjësi që të angazhohemi faktikisht për këtë”./DW