Nga fitorja me hedhje të monedhës te triumfet dramatike me penallti

Asnjë prej përfaqësueseve që kanë mbetur në “Euro 2020” nuk ka marrë pjesë në gjysmëfinale të ngjarjes më shumë se Italia.

Italia ka “prekur” gjysmëfinalen e Evropianit katër herë deri më tani, sa edhe kundërshtarja e saj në këtë fazë garash, Spanja. Në përgjithësi rezultatet e saj kanë qenë të favorshme. Sajti zyrtar i UEFA-s, ka paraqitur gjysmëfinalet e kaluara të Italisë.

Ndeshja Itali – Spanjë luhet të martën nga ora 21:00 në “Wembley” të Londrës.

1968: Italia – BRSS 0:0 (Italia fitoi me hedhje të monedhës)

Piero Prati iu afrua golit për azurët në kohën e rregullt, ndërsa Angelo Domenghini qëlloi shtyllën në vazhdime. Ndërkohë Dino Zoff priti goditjen e Albert Shesternev dhe ndali dy gjuajtje të Aleksandr Lenev, në ndeshjen në Napoli. Nuk kishte penallti atëherë kështu që vendi në finale u përcaktua me hedhje të monedhës.

“Arbitri nxori një monedhë të vjetër dhe unë zgjodha pikë”, kishte treguar kapiteni i Italisë, Giacinto Facchettti. “Unë nisa festën ndërkohë që në stadium ishin ende 70 mijë shikues. Festa ime ishte shenjë se edhe ata mund të festojnë”.

1988: BRSS – Italia 2:0

Bashkimi Sovjetik qëndroi në mes azurëve dhe finales sërish në Stuttgart. Por këtë herë regjistrohet dështimi i vetëm i italianëve në gjysmëfinale. Oleh Kuznetsov dhe Oleksiy Mykhaylychenko kombinuar për ta përgatitur rastin për Gennadiy Lytvochenko që shënoi golin e parë në minutën e 58-të. Oleh Protasov konkretizoi katër minuta më pas. 23-vjeçari Gianluca Vialli ishte pranë të kthente Italinë në lojë, por ky turne u duk se erdhi pak herët për ekipin e ri të Italisë.

2000: Italia – Holanda 0:0 (3:1 me penallti)

Azurët i fituan katër ndeshjet rrugës për në Amsterdam, por Holanda doli të jetë rivale më e fortë. Frank de Boer dhe Patrick Kluivert humbën penallti në kohën e rregullt, ndërsa Holanda dështoi të thyej Italinë e reduktuar në dhjetë lojtarë, pas përjashtimit të Gianluca Zambrottas në minutën e 34-t.

De Boer dështoi edhe pasi ndeshja shkoi në penallti, ku Francesco Toldo ndali edhe penalltinë e dytë të Paul Bosvelt, për të siguruar vendin e Italisë në finale.

2012: Gjermania – Italia 1:2

Suksesi i vetëm i Italisë në kohën e rregullt në gjysmëfinale ndodhi në Varshavë dhe u dominua nga Mario Balotelli.

Sulmuesi i Italisë ndërtoi mbi krosimin e Antonio Cassanos. Ishte goli i parë i Italisë në gysmëfinale të Evropianëve. Ai shënoi edhe golin e dytë në portën e Manuel Neuerit, pa u kryer pjesa e parë.

Gjermania, që ishte në seri prej 15 fitoreve në ndeshje garuese, u përgjigj me penallti të vonshme të Mesut Oezilit. Për fatin e keq të ekipit të Cesare Prandellit, Italia në finale u përball me një Spanjë shumë të fortë, që fitoi 4:0 në Kiev.