Sami Lushtaku dënohet me 12 mijë euro për dy arratisjet

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të ndryshme në vitin 2015 nga QKUK-ja.

Lajmi për KOHËN është konfirmuar nga avokati i tij, Artan Qerkini. Me nga 1 mijë euro gjobë janë dënuar edhe 3 gardianë që e kanë shoqëruar Lushtakun atë kohë.

Ai ishte arrestuar në dalje të Prishtinës derisa po tentonte të shkonte në shtëpi e ishte duke u mbajtur në paraburgim dhe trajtim në QKUK. Megjithatë, për arratisjen e cila ishte bërë publike, ajo e vitit 2014, Lushtaku dhe rreth 20 të akuzuar tjerë janë liruar dhe shpallur të pafajshëm.

Megjithatë, ky nuk është fundi i përballjes me drejtësinë për Lushtakun. Ai do të vazhdoj të gjykohet ndaras për rastin për dy vepra tjera penale; krim të organizuar dhe ndikim në dëshmitarë për rastin Drenica. Gjykata kishte vendosur ta ndante këtë lëndë për shkak të rrezikut të parashkrimit të veprave që lidheshin me arratisjen. Avokati i tij, Artan Qerkini ka thënë se kur të pranojnë aktgjykimin e shkruar do të vendosin nëse do të ankohen për gjobën prej 12 mijë eurosh në Gjykatë të Apelit.